Pesë librat që Bill Gates ka lexuar për këtë vit e që padyshim i sugjeron edhe për ju!
Nga një roman për djalin e humbur të William Shakespeare në një libër për modifikimin e gjeneve, Bill Gates sugjeron se çfarë duhet të lexoni për këtë vit. Themeluesi i Microsoft, ka pasur një vit të trazuar duke nisur që nga divorci i tij me Melinda-n e cila u finalizua në gusht e duke vijuar më pas me lajmet që qarkullonin kudo sa i përket sjelljeve dyshuese të tij ndërsa ishte ende i martuar.
Ndërkohë rikujtojmë se pak ditë më parë vajza më e madhe e Gates, Jennifer, u martua. Por edhe pas kaq shumë ndodhive, Gates gjeti kohë për të lexuar dhe së fundmi ai ka publikuar një video duke rekomanduar pesë librat që pëlqeu më së shumti këtë vit.
Ju njohim me to:
1.”Project Hail Mary” nga Andy Weir
Ky roman i ri përfshin një mësues shkencash të shkollës së mesme, i cili zgjohet në një sistem tjetër yjor pa kujtuar se si arriti atje. “Është një lexim argëtues dhe e përfundova të gjithë në një fundjavë”,- shkroi Gates.
2.”Hamnet” nga Maggie O’Farrell
Hamnet-i i Maggie O’Farrell përdor fakte nga jeta e William Shakespeare për të krijuar një histori fiktive. Djali i Shekspirit, Hamneti, vdiq në moshën 11-vjeçare dhe më vonë dramaturgu shkroi në mënyrë të famshme tragjedinë Hamlet. Gates e quan romanin “lëvizës” dhe thotë: “Më pëlqeu veçanërisht të lexoja për gruan e Shekspirit, Anne, e cila këtu imagjinohet si një figurë pothuajse e mbinatyrshme”.
3.”Klara and the Sun” nga Kazuo Ishiguro
“Më pëlqen një histori e mirë robotësh dhe romani i Ishiguros për një “mik artificial” të një vajze të re të sëmurë nuk bën përjashtim”,-shkroi Gates. “Ky libër më bëri të mendoj se si mund të duket jeta me robotë super inteligjentë dhe nëse ne do t’i trajtojmë këto lloj makinerish si pjesë të teknologjisë apo si diçka më shumë.”
4.”The Code Breaker: Jennifer Doudna, Gene Editing, and the Future of the Human Race”, nga Walter Isaacson
“The Code Breaker” i Walter Isaacson gërmon në zbulimin e sistemit të redaktimit të gjeneve CRISPR. “Jam njohur me të për shkak të punës sime në Fondacionin “Bill & Melinda Gates”. Ne po financojmë një numër projektesh që përdorin teknologjinë. Por unë ende mësova shumë nga ky libër gjithëpërfshirës dhe i arritshëm për zbulimin e tij nga biokimistja, fituese e çmimit ‘Nobel’, Jennifer Doudna dhe kolegët e saj.”
5.”A Thousand Brains: A New Theory of Intelligence” nga Jeff Hawkins
Një tjetër libër për adhuruesit e shkencës. Jeff Hawkins, shkroi “A Thousand Brains” për lidhjet midis neuroshkencës dhe mësimit të makinerive. “Pak subjekte kanë kapur imagjinatën e shkrimtarëve të trillimeve shkencore si inteligjenca artificiale,”-shkruan Gates. “Nëse jeni të interesuar të mësoni më shumë rreth asaj që mund të nevojitet për të krijuar një AI të vërtetë, ky libër ofron një teori magjepsëse.”