Mbi 3.2 milionë udhëtime gjatë vitit 2020, ja destinacionet e preferuara të shqiptarëve!
Mbi 3.2 milionë udhëtime janë regjistruar vitin e kaluar nga shqiptarët. Gjatë vitit 2020, destinacionet më të preferuara për qytetarët brenda Shqipërisë për udhëtime pushimi ishin Vlora gjatë sezonit të verës, dhe Korça në sezonin e dimrit.
Ndërkohë, në udhëtimet jashtë vendit, Turqia, Mali i Zi dhe Italia kanë marrë fluksin më të madh të pushuesve nga Shqipëria.
Edhe pse një vit me kufizime dhe pasiguri për shkak të pandemisë, lëvizjet e regjistruara nga INSTAT, tregojnë se numri i udhëtimeve për pushime a biznes ishte 3.2 milionë, me një mesatare qëndrimi prej 4.6 ditësh.
Në vitin 2019, numri i udhëtimeve ishte 5.35 milionë.
Sipas qarqeve, Tirana, Vlora e Durrësi panë numrin më të madh të vizitorëve për qëllime personale ose biznesi gjatë gjithë vitit.
Sipas grupmoshës, 45% udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga gjenerata 25 deri në 34 vjeç, dhe fluks lëvizjeje më të ulët është regjistruar te moshat e treta.
Po sipas grupmoshës, këta të rinj kanë qëndruar në një vend tjetër 1 deri në 3 ditë, ndërsa të moshuarit mbi 75 vjeç mbi 4 ditë.
Rreth 3,1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96,4% të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020, ku makinat private janë rritur me 15 pikë përqindje.
Për të gjitha llojet e udhëtimeve, peshën më të lartë të akomodimit e zënë të afërmit, e më tej janë hotelet.