6 sekrete që duhet të dini lidhur me shëndetin e adoleshentëve!

Klea Balliu
13/12/2021

Mendonit se ishte e vështirë të rrisësh një fëmijë? Prisni derisa fëmija juaj të jetë në moshën e adoleshencës. Ata janë më të pavarur dhe më pak të bindur. Adoleshentët janë më të ndjeshëm ndaj çështjeve serioze shëndetësore si stresi dhe shtimi në peshë. Ndihmoni fëmijët tuaj të ndihen më mirë me këto këshilla që trajtojnë gjashtë shqetësime thelbësore për shëndetin e tyre.

1. Gjumi

Gjumi është një nga aspektet më kritike të shëndetit të adoleshentëve dhe më i neglizhuari botërisht. “Akademia Amerikane e Pediatrisë” (CDC), rekomandon 10 deri në 12 orë gjumë për adoleshentët, por studimet tregojnë se shumica e fëmijëve nuk e respektojnë këtë orar. Në një anketë të “Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve” me 12 mijë nxënës të shkollave të mesme, vetëm 900 prej tyre thanë se flinin 10 deri në 12 orë gjumë dhe 39% prej tyre flinin vetëm 6 orë ose më pak. Fëmijëve u mungon gjumi për shkak të stresit, orarit të ngarkuar ose qëndrimi gjatë natës para celularit. Me kalimin e kohës, mungesa e gjumit ndikon në imunitetin, peshën, të mësuarit dhe shëndetin emocional. Ndryshime të thjeshta si: të flini në të njëjtin orar çdo natë, shmangia e kafeinës dhe minimizimi i stresit përpara gjumit, mund të ndihmojnë te adoleshentët.

2. Pesha

Sipas “CDC”, mbipesha është trefishuar te adoleshentët në 30 vitet e fundit dhe në vitin 2010, më shumë se një e treta e adoleshentëve të anketuar u zbuluan se ishin mbipeshë ose obezë. Është një problem shëndetësor serioz. Në një studim, 70% e adoleshentëve obezë kishin të paktën një faktor rreziku për sëmundje kardiovaskulare dhe kishin më shumë gjasa të ishin prediabetikë. Nëse fëmija juaj është mbipeshë, gatuani ushqim të shëndetshëm dhe mos blini sasi të tepërta të ushqimeve me sheqer. Gjithashtu, mos e lejoni të konsumojë pije të gazuara.

3. Stresi

30% e nxënësve të shkollave të mesme në një anketë, thanë se ishin të stresuar në nivele “serioze”. Ngjarjet stresuese të jetës në fëmijëri mund të ndikojnë në shëndetin e adoleshentëve. Në një studim, përjetimi i ngjarjeve negative të jetës lidhej me një rrezik 50% më të lartë për të qenë mbipeshë deri në moshën 15-vjeçare. Ndihmojini adoleshentët të trajtojnë stresin duke i inkurajuar ata të ushtrohen fizikisht, të hanë rregullisht, të flenë mjaftueshëm dhe të shmangin kafeinën e tepërt. Suplementet si: vitaminat B dhe yndyrnat omega-3, mund të ndihmojnë në qetësimin e stresit të tepërt. Gjithashtu, mësoni dhe modeloni teknika të shëndetshme të menaxhimit të stresit, duke përfshirë relaksimin e muskujve dhe menaxhimin e kohës.

4. Mëngjesi

Në një studim kanadez, 39% e studentëve raportuan se hanë mëngjes më pak se tre ditë në javë. Konsumimi i mëngjesit është shumë i rëndësishëm për funksionimin e trurit, energjinë, përqendrimin, performancën akademike dhe për peshën ideale për të qenë i shëndetshëm. Vakti i mëngjesit duhet të fokusohet në proteina me yndyrë të mjaftueshme për të pasur energji gjatë ditës. Nëse fëmija juaj nxiton për të dalë në mëngjes sepse është vonë, provoni opsione të shpejta dhe të shëndetshme, si: “smoothie”, burrito me vezë, pite me salçiçe ose omletë.

5. Koha e shpenzuar para ekranit

Një studim zbuloi se adoleshentët shpenzojnë rreth tetë orë në ditë për shtatë ditë të javës, në telefona celularë, përpara kompjuterave, televizorëve ose video lojërave. Kjo do të thotë tetë orë pasivitet, gjë që mund të ndikojë në peshën e tyre. Studime të tjera kanë treguar se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të çojë në probleme të vëmendjes, vështirësi në shkollë, çrregullime të të ngrënit dhe probleme me gjumin. Ndihmojeni fëmijën tuaj të shkurtojë oraret duke krijuar së bashku një listë me rregulla për të ndihmuar në kufizimin e kohës para ekranit. Përshembull, nuk do të shikoni televizor deri në përfundimin e detyrave të shtëpisë ose nuk do të përdorni pajisje elektronike pas orës 20:00. Nëse respektohen rregullat mund të ketë shpërblime të vogla për ta. Gjithashtu, përgatituni t’i ndiqni vetë ato rregulla, për të dhënë një shembull të mirë.

6. Suplementet

Pak adoleshentë hanë një dietë vërtet të ekuilibruar. Një multivitaminë cilësore mund të plotësojë boshllëqe të konsiderueshme të të ushqyerit. Kërkoni një multivitaminë që është formuluar posaçërisht për adoleshentët.

Më shumë