Nëse keni menduar ndonjëherë se 2 filxhanë kafe në ditë janë të dëmshëm, hidhini një sy këtyre përfitimeve!
Ndoshta mund t’ju kenë thënë se pirja e kafesë nuk është diçka e mirë. Por kohët kanë ndryshuar dhe shkenca ka zbuluar të vërteta të reja. Është e vërtetë që kafeina mund të ndikojë në cilësinë e gjumit tuaj, por marrja e saj në mënyrë të moderuar, është e mjaftueshme për të tejkaluar lehtësisht efektet e pafavorshme të kësaj substance që stimulon sistemin tonë.
Kokrrat e kafesë janë të pasura me antioksidantë që luftojnë radikalet e lira, luftojnë inflamacionin dhe ngadalësojnë procesin e plakjes. Kafeja gjithashtu përmban një shumëllojshmëri marramendëse të nutrientëve të tjerë si mangani, magnezi, kaliumi, fosfori dhe vitaminat B1, B2, B3 dhe B5. Pirja e dy filxhanëve kafe në ditë mund t’ju ofrojë benefitet e mëposhtme…
- Përmirëson funksionin e trurit duke stimuluar aktivitetin e tij përmes kohës së reagimit, por dhe gjendjen e humorit.
- Ulje e rrezikut për depresion dhe vetëvrasje. Sipas një studimi të Harvardit të vitit 2011, njerëzit që konsumonin më shumë kafe shfaqnin shanse më të ulëta për t’u prekur nga depresioni (20%) dhe më pak gjasa për të kryer vetëvrasje.
- Mbrojtje nga sëmundjet degjenerative të trupit si zvogëlimi i rrezikut për të vuajtur nga demenca kur plakeni dhe mbajtja larg e Alzheimerit.
- Përmirëson normën metabolike duke ju ndihmuar të hiqni kilogramët e tepërt për shkak se një substancë e gjendur në të, nxit metabolizmin.
- Redukton riskun e prekjes nga diabeti i tipit 2. Nëse pini rregullisht kafe, sipas specialistëve, keni më pak gjasa të prekeni nga diabeti deri në 67%.
- Ul gjasat për t’u prekur nga sëmundjet e mëlçisë. Ekspertët thonë se konsumi i të paktën 4 filxhanëve kafe në ditë, ndihmon në uljen e ndjeshme të gjasave për t’u prekur nga kanceri dhe sëmundjet e mëlçisë.
- Rrit jetëgjatësinë. Për shkak se njerëzit që pinë kafe kanë gjasa për të redukuar riskun e sëmundjeve të ndryshme, ata priren të kenë jetë më të gjatë. Një raport i New England Journal of Medicine në vitin 2012 vërtetoi se njerëzit që pinin 4 deri në 5 filxhanë kafe në ditë jetonin më gjatë se ata që nuk pinin.
Gjithashtu, diçka që duhet ta dini është se kafeina ju ndihmon për të stimuluar prodhimin e energjisë dhe e zgjat qëndrueshmërinë tuaj. Një studim i bërë i një shoqate Britanike të Adhuruesve të Kafesë, ka treguar se kafeja e përshpejton metabolizmin dhe është një pije perfekte për ta konsmuar para stërvitjes pasi shanset për t’u lodhur shpejt zvogëlohen. Sipas tyre, për të patur një performancë të mirë dhe që stërvitja të jetë më intensive dhe e gjatë, duhet të konsumoni dy filxhanë me kafe para se ta nisni atë pasi do t’ju rrisë qëndrueshmërinë me 30%.