Njihuni me disa këshilla se si të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor këtë sezon dimri!

Klea Balliu
20/12/2021

Për të pasur një jetë sa më të shëndetshme, shumica prej nesh përpiqen të konsumojnë një dietë të pasur me vlera ushqyese dhe të bëjnë aktivitet fizik disa herë në javë. Padyshim që këto janë mënyra efektive për t’u kujdesur për shëndetin tuaj fizik por, duket se ne po neglizhojmë shëndetin mendor. Në fakt, miliona njerëz kanë probleme me shëndetin mendor çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas të dhënave nga “Aleanca Kombëtare për Sëmundjet e Shëndetit Mendor”, shifrat u rritën si pasojë e pandemisë. Sipas një studimi të botuar në revistën “The Lancet Regional Health-Americas”, shifrat e personave të cilët vuanin nga depresioni në të gjithë SHBA-në u trefishuan në muajt e parë të vitit 2020, duke prekur 1 në 3 persona në krahasim me 1 në 5 persona që prekte përpara pandemisë. Terapistja e njohur Saba Harouni Lurie, shprehet se:

Gjatë pandemisë, më shumë njerëz se kurrë më parë kanë raportuar se kanë përjetuar simptoma të ankthit ose çrregullime humori dhe për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që kanë luftuar me shëndetin e tyre mendor. Duhen ndërmarrë hapa për të përmirësuar dhe ruajtur shëndetin e tyre mendor si pjesë e një stili jetese të shëndetshme. Shëndeti mendor është tepër i rëndësishëm, jo ​​vetëm sepse ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si mendojmë dhe ndihemi, por edhe sepse ndikon në mënyrën se si ndërveprojmë me botën përreth nesh. Depresioni dhe ankthi mund të bëjnë ndryshime në marrëdhëniet, karrierën dhe shëndetin tuaj fizik.

Fatkeqësisht, dimri mund të jetë sfidues për njerëzit që përballen me probleme të shëndetit mendor. Jo vetëm që është më ftohtë, por ka edhe më pak orë në ditë dhe mundësi për të kaluar kohë jashtë. Kështu që, është e rëndësishme të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor gjatë kësaj periudhe të vitit dhe jo vetëm. Ekspertët ndajnë këshillat e tyre më të mira për të mbajtur nën kontroll shëndetin tuaj mendor.

1.Mos kini frikë të kërkoni ndihmë

Ju nuk duhet të mbani barrën e kujdesit vetëm për shëndetin tuaj mendor por, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë. Psikoterapistja e njohur Mayra Mendez, e cila punon në Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve dhe Familjes “Saint John” në Kaliforni, sugjeron t’i drejtoheni një shoku ose anëtari të familjes ose të konsultoheni me një terapist. Ajo thotë se:

Flisni me të tjerët, bashkohuni me grupet mbështetëse, mos qëndroni të izoluar dhe krijoni mundësinë për përvoja të përbashkëta dhe për të normalizuar mendimet dhe ndjenjat tuaja. Individët që kërkojnë ndihmë dhe konsultohen me një terapist/e, kanë më shumë gjasa të kenë stabilitet të shëndetit mendor.

2.Konsumoni ushqime të cilat kanë vlera ushqyese

Ju e dini se ushqimet që përmbajnë vlera ushqyese janë të dobishme për shëndetin tuaj fizik, por mund të mos e kuptoni se sa të rëndësishme janë për shëndetin tuaj mendor. Një studim i botuar në revistën mjekësore “BMC Medicine”, analizoi 67 pacientë që i nënshtroheshin trajtimit për depresion dhe gjysmës së pacientëve u dhanë këshilla për mënyrën e tyre të ushqyerjes. Pas një periudhe 12-javore, grupi që ndryshoi dietën e tyre tregoi një ulje të niveleve të depresionit. Të konsumoni ushqimet si: perimet jeshile dhe shumëngjyrëshe, proteina, yndyrna të shëndetshme dhe drithëra, kanë treguar se mund të përmirësojnë humorin.

Ndërsa ushqimet e përpunuara, sheqeri, kafeina dhe alkooli mund të rrisin nivelet e ankthit, si dhe mund të shfaqen simptomat e depresionit te disa njerëz. Eksperimentoni në kuzhinën tuaj dhe kushtojini vëmendje mënyrës sesi ushqimi ju bën të ndiheni jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Shtoni më shumë perime jeshile dhe shumëngjyrëshe në çdo vakt.

3. Bëni aktivitet fizik

Hulumtimet kanë treguar se aktiviteti fizik dhe qëndrimi jashtë në natyrë ndihmojnë me ankthin dhe depresionin veçanërisht në muajt e ftohtë të dimrit, sipas terapistes Saba Harouni Lurie. Ajo tregon se:

Rritja e rrahjeve të zemrës është një nga mënyrat më të thjeshta për të mbajtur nën kontroll shëndetin tuaj mendor këtë dimër. Ndërsa moti bëhet më i ftohtë, ne kemi një tendencë të mos dalim jashtë dhe të mos merremi me asnjë aktivitet fizik. E kombinuar me ndjenjat e trishtimit dhe mungesës së shpresës që shumë njerëz ndjejnë për shkak se dita është më e shkurtër, bën që kjo periudhë të jetë vërtet sfiduese për ju.

4.Jepini përparësi gjumit

Të flini nga shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë, është thelbësore për shëndetin tuaj fizik, mendor dhe emocional. Për fat të keq, dimri mund të jetë i pafavorshëm për një cikël të shëndetshëm gjumi, veçanërisht rreth ditës. Psikologia Sahar Esfahani, e cila është e specializuar në trajtimin e ankthit dhe çrregullimeve të lidhura me të, tek adoleshentët dhe të rriturit shprehet se:

Vendosni një orar se kur do të flini gjumë dhe një orari se kur do të zgjoheni që është konstant dhe i rregullt. Shmangni dremitjen gjatë ditës ose mbrëmjeve, sepse kjo mund të bëjë që të mos flini gjumë në mbrëmje.

5.Kontrolloni nivelet e vitaminës D

Nëse ndiheni gjithnjë e më shumë të lodhur pa ndonjë arsye, mund të jetë një ide e mirë të bëni një vizitë dhe të kontrolloni nëse mund të keni mungesë të vitaminës D. Sipas një studimi të publikuar në “Nutrition Research”, rreth 41.6 % e njerëzve në SHBA kanë mungesë të vitaminës D dhe aq më tepër gjatë dimrit kur më pak diell. Sarah Esfahani thotë se:

Mungesa e vitaminës D bën që ju të ndiheni të lodhur dhe të mos keni energji. Nga ana tjetër, mund t’ju bëjë më të prekshëm ndaj depresionit.

6.Reduktoni përdorimin e alkoolit

Fillimisht mund të ndjeni një rritje të humorit kur pini një pije alkoolike, por efektet e mëvonshme kanë më shumë gjasa të përkeqësojnë shëndetin tuaj mendor veçanërisht mund të keni simptoma të depresionit. Të jeni vigjilent dhe të ndërgjegjshëm për problemet që shkakton alkooli në shëndetin tuaj mendor, bën që keni një shëndet më të mirë.

7.Provoni terapinë konjitive të sjelljes

Nëse vëreni se nuk jeni në humor të mirë dhe po ndiheni gjithnjë e më pak të përfshirë në aktivitete që dikur ju sillnin gëzim, një teknikë e njohur si terapia konjitive e sjelljes ja vlen të provohet. Psikologia Esfahani tregon se:

“CBT” është një terapi e bazuar në prova që ju mëson aftësi dhe strategji për të përmirësuar gjendjen shpirtërore duke u fokusuar në sfidimin dhe ndryshimin e sjelljeve njohëse, përmirësimin e çrregullimeve emocionale dhe zhvillimin e strategjive personale të përballimit që synojnë zgjidhjen e problemeve aktuale. “CBT” përdor gjithashtu një proces të quajtur aktivizimi i sjelljes, i cili i ndihmon individët të listojnë aktivitete ose hobi të cilat i preferojnë dhe të planifikojnë të përfshihen në to. Hulumtimet kanë treguar se CBT është efektive në reduktimin e simptomave të çrregullimeve depresive, ankthit dhe problemeve me humorin.

Më shumë