Kur mendoni për të mbajtur zemrën tuaj të shëndetshme, ndoshta mendoni për disa ushqime që duhet të konsumoni dhe për disa të tjera që nuk duhet të hani, për të mbajtur nën kontroll faktorët kryesorë si: presioni i gjakut, kolesteroli dhe pesha.
Por ka një përbërës tjetër që mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e rrezikut për problemet e zemrës dhe janë erëzat që shtoni në gatimet tuaja. Erëzat i shtojnë shije dhe aromë ushqimit tuaj, por mund të jenë gjithashtu çelësi për ta mbajtur zemrën në formë dhe për të ulur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Ja se çfarë thonë studimet e fundit:
1-Më shumë erëza do të thotë presion më i mirë i gjakut
Një studim i publikuar në revistën “The American Journal of Clinical Nutrition” në tetor të këtij viti, tregon lidhjen mes erëzave dhe shëndetit të zemrës. Në studim morën pjesë 71 persona, të cilët të gjithë kishin faktorë rreziku ekzistues për sëmundjet e zemrës. Pjesëmarrësve iu caktuan tre dieta: një dietë me pak erëza (vetëm 0,5 gram erëza në ditë), një dietë me erëza të moderuara (3,2 gram në ditë) dhe një dietë me shumë erëza (6,5 gram në ditë). Ata kaluan katër javë në secilën prej këtyre dietave, duke i provuar ato një nga një me një pushim prej dy javësh në mes. Në këto tre dieta, pjesëmarrësit përdorën një përzierje prej 24 lloje të ndryshme erëzash. Kombinimi i tyre nuk kishte shumë rëndësi, përkundrazi ishte sasia e erëzave që pati ndikimin më të madh.
Studiuesit zbuluan se dieta me shumë erëza ishte më e efektshmja për shëndetin e zemrës. Pjesëmarrësit kishin presion sistolik më të ulët të gjakut kur konsumonin 6.5 gram erëza në ditë. Nivelet e presionit sistolik të gjakut ishin më të larta në dietat me erëza të ulëta dhe të moderuara. Ndërsa nivelet e presionit diastolik të gjakut ishin gjithashtu më të ulëta në dietën e pasur me erëza.
2-Erëzat mund të ndihmojnë edhe nëse nuk po bëni ndryshime të tjera për shëndetin
Pjesëmarrësit e këtij studimi ishin në gjendje të ulnin presionin e gjakut pa bërë ndryshime drastike, një arritje që mund të jetë e dobishme për një shëndet më të mirë të zemrës suaj. Studiuesit nuk u kërkuan pjesëmarrësve të hiqnin ose shtonin ushqime të ndryshme ose të ndryshonin dietën e tyre.
Shtimi i disa lloje të ndryshme erëzash mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të pasur një zemër më të shëndetshme. Mund të përfitoni edhe më shumë nëse i kombinoni ato erëza me një dietë të pasur me vlera ushqyese.