Sipas të dhënave nga ‘Shoqata Amerikane e Zemrës’, gati gjysma e njerëzve në SHBA kanë presion të lartë të gjakut dhe numri i vdekjeve është rritur me pothuajse 38%. Në shumë raste, presioni i lartë i gjakut mund të kontrollohet vetëm nga ndryshimet që bëni në dietën tuaj.
Dieta “DASH” (qasje dietike për të ndaluar hipertensionin) e cila shmang kripën, alkoolin dhe kafeinën, thekson rëndësinë e konsumimit të perimeve, frutave, bulmetit me pak yndyrë, bishtajoret, arrat, farat dhe drithërat. Konsumimi i tyre është treguar se ul presionin e gjakut në vetëm dy javë. Shtoni në dietën tuaj këto ushqime dhe mbroni veten nga ataku në zemër dhe goditjet në tru.
1-Panxhari i kuq
Panxhari i kuq ka shumë vlera për shëndetin tuaj, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si: karotenoidi, vitamina C, magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori dhe në të njëtën kohë është një burim i shkëlqyer me antioksidues. Panxhari është i lartë në polifenole dhe oksid nitrik, një përbërës që redukton inflamacionin dhe nxit zgjerimin e arterieve për të ulur presionin e gjakut. Në një studim, njerëzit që pinin lëng panxhari të përzierë me lëng molle treguan një ulje të presionit sistolik të gjakut, vetëm gjashtë orë më vonë. Perimet, veçanërisht perimet me gjethe jeshile dhe hudhrat, rrisin oksidin nitrik në trup, ulin presionin e gjakut dhe mbrojnë nga hipertensioni.
2-Shegët
Shegët janë të pasura me polifenole, antioksidantë që kanë efekte pozitive në presionin e gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare. Në një studim, njerëzit që pinin çdo ditë një filxhan (ose më shumë) lëng shege, treguan një ulje të presionit sistolik (presioni maksimal që ushtron zemra gjatë rrahjeve) dhe diastolik (sasia e presionit në arteriet tuaja midis rrahjeve).
3-Stikat
Stikat janë të pasur me yndyrna të shëndetshme, magnez, kalium dhe përbërës të tjerë që ulin presionin e gjakut. Në një studim, njerëzit me kolesterol të lartë që konsumonin disa stika në ditë, kishin presion më të ulët të gjakut. Studime të tjera kanë treguar se arrat mund të kenë gjithashtu një efekt pozitiv në presionin dhe funksionin e enëve të gjakut.
4-Kosi
Kosi dhe produktet e tjera të qumështit me pak yndyrë, mund të mbrojnë kundër presionit të lartë të gjakut. Një studim zbuloi një lidhje midis kosit, qumështit dhe uljes së rrezikut të hipertensionit. Në një studim tjetër, gratë që konsumonin pesë ose më shumë racione kos në javë treguan një reduktim 20% të rrezikut për zhvillimin e presionit të lartë të gjakut. Studiuesit besojnë se kalciumi, magnezi, fosfori dhe lëndë të tjera ushqyese të qumështit luajnë një rol të rëndësishëm. Përveç kësaj, produktet e qumështit përmbajnë peptide, të cilat kanë veti bioaktive që ndikojnë në presionin e gjakut.
5- Farat e lirit
Farat e lirit janë të pasura me yndyrna Omega-3 dhe fibra, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen kundër presionit të lartë të gjakut. Në një studim, njerëzit me hipertension që konsumuan farat e lirit për gjashtë muaj, treguan një ulje të presionit sistolik dhe diastolik të gjakut. Fara e lirit ka një efekt më të fuqishëm se vaji i lirit. Farat e tjera, si: farat e kungullit dhe lulediellit, kanë gjithashtu përmbajtje të lartë kaliumi dhe magnezi të cilat mund të kenë efekte të ngjashme në presionin e gjakut dhe shëndetin e përgjithshëm kardiovaskular.