Ushqimet që duhet të konsumoni për të mposhtur migrenën!

Klea Balliu
23/12/2021

Migrena është një gjendje neurologjike që mund të shkaktojë simptoma të shumta. Shpesh karakterizohet nga dhimbje të forta koke. Simptomat mund të përfshijnë të përziera, të vjella, vështirësi në të folur, mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash dhe ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit. Nëse vuani nga migrena, konsumoni këto ushqime që ju lehtësojnë dhimbjen e kokës.

1-Quinoa

Quinoa është e pasur me plot vlera ushqyese që ulin rrezikun e migrenës, duke përfshirë riboflavinën, magnezin dhe hekurin. Përmbajtja e lartë e hekurit mund të mbrojë kundër anemisë, e cila është e lidhur me migrenën. Quinoa ka sasi të konsiderueshme të folatit, një vitaminë B e cila redukton shpeshtinë e migrenës te femrat që vuajnë nga kjo sëmundje.

2-Kastraveci

Kastraveci përmban 96% ujë, i cili ndihmon në parandalimin e dehidratimit, një shkaktar i njohur i shumë dhimbjeve të kokës. Kur trupi është i dehidratuar, truri përkohësisht tkurret duke shkaktuar dhimbje. Në një studim të botuar në “Family Practice”, njerëzit që kishin dhimbje koke të shpeshta, raportuan një lehtësim të ndjeshëm të dhimbjeve të kokës, pasi konsumuan 1.5 litra ujë në ditë.

3-Qershitë

Qershitë përbëhen nga një sërë antioksidantësh polifenolësh, të cilët kanë treguar se reduktojnë inflamacionin, një faktor kryesor që bën të keni dhimbje koke dhe migrenë. Disa studime kanë treguar ulje të aktivitetit antioksidues dhe rritje të stresit oksidativ tek pacientët që vuajnë nga migrena, një gjendje e shkaktuar nga përdorimi i tepërt i barnave qetësuese.

4-Kërpudhat Shiitake

Kërpudhat shiitake janë një burim i mirë i riboflavinës, një vitaminë B që ka treguar se zvogëlon shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e sulmeve të migrenës pa efekte anësore serioze. Në një studim të botuar në ‘Revistën Ndërkombëtare për Kërkimin e Vitaminave dhe Ushqyerjes’, pacientët që morën riboflavin raportuan një lehtësim të ndjeshëm të dhimbjeve të kokës dhe ishin në gjendje të mos përdornin më medikamente kundër migrenës.

5-Bizelet

Ashtu si fasulet, bizelet dhe thjerrëzat, janë të pasura me proteina me bazë bimore dhe kanë përmbajtje të lartë të fibrave. Studimet tregojnë se një dietë vegane mund të shoqërohet me reduktim të dhimbjeve të kokës dhe gjithashtu ulje të dhimbjeve të kokës përpara menstruacioneve. Bizelet dhe bishtajore të tjera, mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të migrenës, të cilat janë të lidhura me rezistencën ndaj insulinës. Bizelet janë një burim i mirë i hekurit dhe magnezit që gjithashtu lehtësojnë dhimbjen e kokës.

Më shumë