Shqiptarja Silvana Musej shefe kuzhine në edicionin e 72-të të Festivalit në Sanremo, rrëfen eksperiencën e saj!
Silvana Musej përgjatë këtyre ditëve ka tërhequr vemendjen pasi ka qenë në krye të kuzhinës në edicionin e 72-të të Festivalit të Sanremo i cili u zhvillua nga data 1-5 shkurt. Ajo është nga Golemi, Durrësi dhe prej 23 vitesh jeton në Itali. Që në moshë të re ajo e ka kuptuar qartë se e ardhmja e saj është kuzhina, arti që kënaq të gjitha shqisat. Silvana është fituese e medaljes së argjendë në konkursin ndërkombëtar “Migliore professionista Lady Chef”, ku ka përfaqësuar Piemonten në vitin 2021, ndërsa dy vite më parë ka fituar vendin e dytë në një tjetër konkurs në Itali. Ajo ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhjeje me Skype në “Wake Up”, për të rrëfyer më shumë mbi këtë eksperiencë.
Pesë ditë më shumë se e ngarkuar apo jo. Arrite të shplodhesh disi?
Kanë qenë shumë të ngarkuara, shumë të impenjuara në nivel fizik, por dhe me shumë emocione e me shumë kënaqësi. Le të themi që adrenalina në ato momente bënte pjesën e saj dhe nuk e kam ndjerë aq shumë këto pesë ditë. Kur kthehesh në familje shkarkohet gjithë ajo lodhje dhe ngarkesë. Nuk ndjehet lodhja sepse është një rast i veçantë që mund të ndodhë njëherë në jetë dhe jam me fat dhe e lumtur që isha pjesë e këtij edicioni.
Si u përzgjodhe për të qenë në “Casa Sanremo”?
Unë u përzgjodha nga Federata, më erdhi telefonata e ftesa. Në ato momente isha me vajzën time në makinë dhe kthehem dhe i them, “mamin e kanë thirrur për të gatuar për këngëtarët e Sanremo-s. Çfarë mendon, a të shkoj?” Ajo më tha po. Entuziazmi i tyre më bëri që të isha më e qetë. Sepse ne mamatë e kemi pak këtë pjesën e familjes.
Si ishte të përgatisje 400 pjata, 200 për vaktin e drekës dhe 200 për në darkë?
Ishte shumë e vështirë për t’u koordinuar, por ne femrat jemi luftëtare dhe nuk e ulim kokën para kësaj. Punuam shumë fort dhe bëmë një punë shumë të mirë.
Çfarë preferonin më shumë VIP-at italianë, a kishin ndonjë ‘tekë’?
Disa ishin veganë. Disa ishin alergjikë ndaj ndonjë ushqimi të caktuar dhe e manovronim situatën, njësoj si në restorant, ku i evitonim disa ushqime. I përshtateshim, kishim disa varante për t’i zëvendësuar këto intoleranca apo zgjedhje.
Ti kë kishe artistin tënd të preferuar në Sanremo? Më ke kë prej tyre bisedove pak më shumë apo dhe shkrepe një foto si kujtim?
Unë si artist të preferuar kisha Irama. Edhe kam biseduar me të, kam bërë dhe një pjesë të rrugës bashkë dhe kemi ndaluar tek autogrillat. Kam pasur dhe biseda me të ftuar të tjerë që e kanë pëlqyer ushqimin tim.