Nga pasioni për verën e deri te mënyra si duhet ta pimë këtë pije, Fation Tila na i thotë të gjitha në TAR!
Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar somelieri Fation Tila, për të na folur më shumë rreth një prej pijeve më të dashur të shqiptarëve, verës. Fillimisht si ka qenë marrëdhënia e shqiptarëve me verën dhe çfarë vere mund të pimë duke u nisur nga gjendja jonë emocionale? Zbuloni më shumë duke klikuar në këtë link.
Si ka qenë këto vite prodhimtaria shqiptare e verës?
20 vitet e fundit janë shumë interesante përsa i përket prodhimtarisë. Janë shtuar kantinat, të rinjtë që janë futur në këtë botë, rizbulimi, po rigjejmë pak rrënjët tona. Jemi larg sepse duhen investime, duhet dedikim total. Të prodhosh verë është punë e lodhshme, ka nevojë për forcë punëtore por mund të themi se jemi në një pikë të mirë. 5-10 vitet e fundit po prodhohet verë cilësore.
Si ka lindur pasioni për verën për Fationin?
Jetoja në Itali kur lindi ky pasion. Jetoja në Verona që mbahet si rajoni që pinë më shumë verë. Punoja si barist dhe aty hyra në kontakt me verën, më magjepsi. Fillova një kurs për 2 vjet, pastaj bëja dy punë, mësohesh me atë ritmin dhe kur fillova kursin m’u hap një botë e madhe. Kisha kënaqësi personale sepse kur i njeh verat, procesi bëhet dhe më i bukur, është një rreth vicioz. Gati çdo vend i Evropës prodhon verë.
Si duhet të pimë verë sipas somelierit?
Është e rëndësishme të respektojmë kushtet kryesore, një gotë e mirë adapte sepse vera ka nevojë për hapesirë që të relaksohet. Temperatura duhet të jetë afër ideales, 5-6-7 gradë për verën spumante, për verë të bardhë 10 gradë dhe për verat e kuqe 15 gradë. Nëse çohesh nga tavolina dhe thua u kënaqa, është bërë një përshtatje e mirë me verën. Struktura është kryesorja, sa më e plotë një verë aq më e rëndësishme duhet të jetë edhe pjata. Vera është me shumë për ato tavolinat intime, tavolinat e punës.