Mbrëmjen e djeshme ishte premiera e filmit “Një jetë me ty”, një komedi satirike që tregon për marrëdhënien e një ҫifti të ri të sapomartuar. Ata kalojnë nga një situatë në tjetrën, nga një gjendje emocionale në tjetrën duke na treguar kështu se jeta bashkëshortore sa e bukur po ashtu ka edhe sfidat e saj. Jo vetëm të martuarit por të gjithë ҫiftet do ta gjejnë veten në këtë komedi e cila deri diku e nënkupton suksesin pasi është pëlqyer shumë edhe teksa është shfaqur fillimisht në teatër në vitin 2016.
Regjisor i këtij filmi është Erion Kame dhe në rolet kryesore janë Dritan Arbana dhe Ajsi Xhaxhaj. Të ftuara në studion e “Wake Up” ishin Sindi Leka dhe Ajsi Xhaxhaj për të na folur më shumë lidhur me këtë projekt.
Si shkoi mbrëmë premiera e filmit “Një jetë me ty”, një datë e shumëpritur nga i gjitha stafi që ka punuar, nga aktorët por edhe nga publiku?
Sindi Leka: Ishte shumë emocionuese. Besoj se njerëzit janë kënaqur dhe presim që i gjithë publiku që do vijë ta shohë ta pëlqejë shumë gjithashtu.
Ajsi, si je gjendur ti në rolin e protagonistes, si bashkëshortja e Dritan Arbanës në film? Sa përshtatet ky personazh me karakterin tënd?
Ishte e vështirë, ishte një sfidë. Është një rol që është shumë impenjativ, por kemi punuar shumë me Erionin. Kur pashë veten dje normal kisha dhe kritikat për veten.
Ndërkohë ky ishte edhe roli i parë për Sindin. Si iu duk asaj kjo eksperiencë?
Ka pasur skena që nuk kam dashur t’i shoh, të mbyll sytë (qesh). Filmi është xhiruar para 4 viteve dhe kam qenë dhe më e vogël. Unë luaj rolin e sekretares në film. Jam vajza e fotokopjeve, siç thuhet dhe në xhirime por nuk ka ndodhur gjë mes meje dhe bashkëshortit në film. Por një shkëndijë ka. Nuk po zbuloj më shumë.
Çfarë mund të zbulojmë më shumë nga “Një jetë me ty”?
Sindi: Është jeta bashkëshortore e një çifti. Martohen dhe aty fillojnë probvlemet. Është një film që çdo çift mund të gjejë veten. Ndikojnë problemet e përditshme që pasqyrijnë dhe në marrëdhënien e tyre.
Ajsi: E kemi marrë nga jeta e përditshme, jo thjesht nga një çift. Nuk kemi sjellë problematike të mëdha, por gjëra të vogla. Filmi ka diçka të veçantë, shihet nga dy këndveshtrime i njëjti personazh. Ndryshe e shoh unë gruan, ndryshe më sheh bashkëshorti. Unë e shoh veten si të ndjeshme, që kërkoj vëmendje. Burri më sheh si xheloze, impulsive. Publiku do e shohë se kush ka të drejtë pastaj.
Sa xheloze jeni ju në jetën e vërtetë? Njësoj si ajo që paraqitet në film?
Ajsi: Jam shumë xheloze. Unë përshtatem shumë me personazhin në film (qesh).
Sindi: Jam xheloze, por përshtatem shumë me personin që kam në krah.
Kanë vajzat ndonjë projekt të ri që do të vijë së shpejti?
Ajsi: Për momentin nuk kam ndonjë projekt të ri. Jam në pritje të disa audicioneve, por diçka aktive jo.
Sindi: As unë nuk kam plane në botën e artit. Jam shumë e ngarkuar me projektet e mia personale. Por nëse më ofrojnë një projekt të ri filmik, do ta pranoja.