Gratë në tregun e punës, Xheni Hatillari: “Kolegia ime mbante unazë fallso fejese që shefat mos t’i afroheshin…”
Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio Xheni Hatillari, konsulente në Bashkinë e Tiranës. Sipas një studimi të fundit thuhet se vajzat dhe gratë janë më të arsimuara por rezulton se meshkujt kanë më tepër akses në punësim. Përse ndodh kjo sipas Xhenit?
Bota pavarësisht gjithçkaje është një fshat i madh. Ne flasim për fuqizimin e grave nga ana financiare, ekonomike dhe arsimore. Edhe në kohën kur isha nxënëse, ato që mësonin më shumë ishin vajzat dhe kjo jo sepse janë më të mençuara por është e vetmja gjë që mund të bëjnë. Shumica e djemve nuk fokusohen te të mësuarit përmendësh. Vajzat imponohen nga kultura të qëndrojnë sipër librave, u thuhet duhet të mësoni, pas shkollë të vini në shtëpi dhe kur vjen puna pastaj te tregu i punës, biznesi privat më saktësisht nuk do dikë që kërkon leje lindje, ka prioritet familjen apo nuk do të bëjë orë shtesë. Një punëdhënës e ka më mirë të marrë dikë që është më i lirë. Në role drejtuese ne sot kemi vetëm burra dhe kjo vjen se imponohet më shumë besim tek ata.
Sa e vështirë është për vajzat të integrohen në tregun e punës?
Është shumë e vështirë, kur jam zgjedhur këshilltare dilema ishte që kur ta bëj këtë gjë a do të thonë se ka babin apo të dashurin e fuqishëm, ishte frika ime dhe e diskutoja asokohe me partnerin tim se si t’i largohesha këtij stereotipi. Unë kam pasur fatin e mirë që të kem shefe goca dhe gra që kanë qenë suportuese, më kanë ndihmuar. Nuk kam pasur të bëj me shefa burra, kam dëgjuar shpesh nga koleget e mia të cilat më thonë shefat ta lypin. Shefat herë pas here do të preferonin mos të flisnin me gra çafka, do të kishin qejf të merreshin më mirë më një burrë. Më ka ndodhur të jem në një sallë mbledhjeje dhe shefi i thotë koleges sime që qenke kështu sot se je në ditët e ciklit. Po flasim për organizata ndërkombëtare, e kam dëgjuar dhe parë që shumë goca intimidohen nga fryma në vendin e punës, nga burrat shefa, shumë prej tyre nuk i shohin në sy se mendojnë mos po flirtojnë me ata. Një kolege e imja detyrohej të mbante një unaze fallso fejese që shefat mos t’i afroheshin.
A ka profesione që kanë gjini?
Edhe mbi djemtë ka një lloj imponimi, sepse janë ata që sjellin bukën. Idealisht duhet të kenë një rrogë mbi 700 mijë lekë të vjetra aq më tepër kur ke fëmijë për të mbajtur. Ende ekzistojnë profesione të ndara, të stereotipizuara midis djemve dhe vajzave por ne sot robotët po na zëvendësojnë.