40% e ushqimit në restorante hidhet në mbeturina, ja zgjidhja perfekte për këtë problem global!

Marisa Karabeci
12/04/2022

Sipas Agjencisë të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, 40% e ushqimit që gatuhet në Shtetet e Bashkuara hidhet poshtë. Pjesa më e madhe e tij përfundon në vende mbeturinash, ku çlirohet një sasi masive metani. Për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi global, një kompani holandeze ka prodhuar një sistem monitorimi të mbetjeve ushqimore e cila përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar kuzhinierët e restoranteve të identifikojnë dhe masin sasinë e ushqimit që hidhet nga kuzhinat e tyre.

Olaf van der Veen, drejtor ekzekutiv i ‘Orbisk’ tha se:

Ne i vendosim koshit të mbeturinave një peshore poshtë dhe një kamera sipër dhe sa herë që hidhet diçka, bëjmë fotografi dhe falë Inteligjencës Artificiale arrijmë të dallojmë llojin e ushqimit që hidhet.

Informacionet mblidhen dhe hidhen menjëherë në një bazë të dhënash për të ndihmuar kuzhinierët të shohin ato që mund të jenë probleme të përsëritura.

Ta zëmë se hidhni 10 kilogramë domate çdo të martë në mëngjes, makineria do t’ua ofrojë këtë informacion. Ose sallatën të premteve, pasi njerëzit preferojnë ushqime të tjera më tradicionale dhe çoni dëm një sasi të konsiderueshme sallate.

Ky është lloji i informacionit që u ofrohet shefave të kuzhinës në mënyrë që të ulin sasinë e mbeturinave që hedhin, me synimin për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe përfitimet prej tyre. Vonnie Estes, e Shoqatës Ndërkombëtare të Prodhimeve të freskëta thotë se:

Nuk ka një kuzhinier në botë që do t’i pëlqente të gatuante për koshin e mbeturinave. Pra, ajo që kjo teknologji është në gjendje të bëjë për një restorant është t’i mundësojë atij, nëpërmjet inteligjencës artificiale, të parashikojnë dhe të gatuajë sasinë e duhur të ushqimit.

Restorantet nuk e blejnë makinën, por paguajnë një tarifë abonimi mujor për informacionin që mbledh dhe shpërndan makina. Që kur u vu në përdorim në vitin 2019, shërbimi ka ndihmuar rreth 100 restorante në Evropë të kursejnë mbetjet ushqimore dhe paratë. Olaf van der Veen vijon duke thënë se:

Ne kemi kursyer 200 deri në 300 mijë kilogramë deri më sot dhe kjo ka një vlerë prej rreth 1.2 deri në 1.8 milionë dollarësh.

Kompania planifikon të zgjerohet duke u futur edhe në tregun amerikan e shpreson që një ditë të eliminojë plotësisht mbetjet ushqimore nga kuzhinat industriale.

Më shumë