Kim Kardashian risjell në “Met Gala 2022” fustanin ikonik të Marilyn Monroe!

Marisa Karabeci
03/05/2022

“Met Gala 2022” u rikthye mbrëmjen e djeshme në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Tema e këtij viti ishte “Në Amerikë: Një Antologji e Modës”. Kuratori kryesor i Institutit të Kostumeve, Andrew Bolton tha për ‘Vogue’ se:

E gjitha kjo bazohet në një ekspozitë dypjesëshe nga muzeu, instalimi i dytë i së cilës do të reflektojë evolucionin e stilit amerikan dhe gjithashtu do të eksplorojë punën e rrobaqepësve dhe stilistëve individualë.

Përtej kësaj, ‘Met Gala’ tërheq rregullisht të famshmit si Rihanna, Kim Kardashian, Beyoncé, Lady Gaga, Taylor Swift, etj. Gjithashtu u bë e ditur se vetë Donatella Versace kishte ftuar edhe çiftin e njohur italian Chiara Ferragni dhe Fedez. Blake Lively, Ryan Reynolds, Regina King dhe Lin-Manuel Miranda ishin bashkë-prezantuesit e famshëm të këtij viti. Tom Ford, Adam Mosseri dhe Anna Wintour vazhduan me rolet e tyre si bashkëkryetarë nderi të ‘Met Gala’ si çdo vit tanimë.

Ndërkaq, sjellim në vëmendje se ylli televiziv Kim Kardashian ka shkëlqyer mbrëmjen e djeshme teksa ishte e shoqëruar nga i dashuri i saj i shumëdiskutuar, Pete Davidson, por mbi të gjitha tërhoqi vëmendjen fustani i saj, me vlerë 5 milionë dollarë, i cili është veshur nga Marilyn Monroe në vitin 1962 për t’i uruar ditëlindjen presidentit John F.Kennedy. Për të veshur këtë fustan, Kim Kardashian humbi plot 7 kilogramë.

Rikujtojmë, se së fundmi, stilisti dhe producenti i famshëm, Tom Ford ka ardhur me disa kritika dhe fjalë të ashpra për ‘Met Gala’. “Është kthyer në një festë kostumesh,”- tha Ford për ish-redaktoren e ‘New York Magazine’, Amy Odell, në një fragment të librit të saj të ardhshëm, “Anna: The Biography”, botuar nga Time.

Më shumë