Pas 20 vitesh, Hillary Clinton rikthehet në “Met Gala” dhe jo pa një qëllim!

Marisa Karabeci
04/05/2022

Ish-kandidatja për presidente e SHBA-ve, Hillary Clinton mori pjesë në ceremoninë e ‘Met Gala’ e cila u mbajt para dy ditësh dhe praktikisht ishte një rikthim i ish-Zonjës së Parë pas 20 vitesh. Clinton tha se ajo po merrte pjesë për të festuar modën dhe frymën e Amerikës. Fustani i saj në ngjyrë vishnje përfaqësonte emrat e 60 grave të famshme amerikane, duke përfshirë Harriet Tubman dhe Madeleine Albright, Sekretaren e ndjerë të Shtetit.

Që të gjithë VIP-at përfaqësonin ndonjë shtëpi të modës apo dizenjator, me kostumet, fustanet dhe aksesorët e tyre, që kishin për qëllim të përshtateshin me glamurin e vjetër. Tema e ceremonisë ishte “Në Amerikë: Një Antologji e Modës”, që është pjesa e dytë e ekspozitës së Institutit të Kostumeve, e cila u hap më 18 Shtator dhe që eksploron origjinën e modës në Amerikë.

Rikujtojmë, se këngëtarja Lizzo u shfaq në tapetin e kuq të ‘Met Gala 2022’ me një fustan të Thom Browne. Fustani i saj mund të duket i thjeshtë në pamje, por u deshën mijëra orë për ta realizuar. Në një klip ekskluziv nga ‘Vogue’, Browne zbuloi se fustanit të zi prej mëndafshi iu deshën 1200 orë për qëndisjen e artë me dorë, ndërsa realizimit të plotë iu deshën në total 22,000 orë.

Ndërkaq, stilisti dhe producenti i famshëm, Tom Ford ka ardhur me disa kritika dhe fjalë të ashpra për ‘Met Gala’. “Është kthyer në një festë kostumesh,”- tha Ford për ish-redaktoren e ‘New York Magazine’, Amy Odell, në një fragment të librit të saj të ardhshëm, “Anna: The Biography”, botuar nga Time.

Më shumë