Gjithçka që duhet të dini për markën luksoze italiane, ‘Etro’!

Marisa Karabeci
21/05/2022

Etro, marka e njohur italiane, e cila nga një prodhues tekstili për shtresën fisnike, u kthye në një brand mode me dizajne inovatore, një aventurë e cila filloi vetëm në vitet ’90 dhe u kthye në busull për botën e dizajnit, ku copat me ornamente të frymëzuara nga orienti u shndërruan në elementin më identifikues të Etro. Marka e luksit u themelua nga Gimmo Etro në Milano në 1968, si një kompani që prodhonte tekstil, duke spikatur për copat cilësore dhe printimet e rafinuara.

20 vjet më pas, Gerolamo Etro prezantoi modelin Paisley, duke u kthyer në brand me logo simbolin e një Pegaso dhe nga ajo ditë ajo prodhon koleksione veshjesh për meshkuj dhe femra, aksesorë, parfume dhe arredim për shtëpinë. Stili Etro ka tipar dallues dizajnin Paisley, i njohur si ornamente mbi tekstil, një motiv në formë loti me skaje të lakuara me origjinë persiane, që marka italiane e përsosi duke u ndikuar nga kultura të ndryshme dhe ndërthurjen e elementeve të artit dhe natyrës, një stil me ndjeshmërinë bohemiane, kombinime ngjyrash të frymëzuar nga udhëtimet e Gimmo në Indi, eksperiencë e cila vulosi fatin e markës.

Një nga aksesorët identifikues është çanta Pegaso e cila ka një dizajn i cili daton në vitin 1980, e frymëzuar nga stolitë e art deko dhe makinat e europiane të viteve 1920, në qendër të saj ka një copë me motive, ndërsa pjesa tjetër është totalisht prej lëkure, ku spikat në qendër simboli i kalit mitologjik që shërben si një mbërtheckë, por edhe stoli njëkohësisht.

Tradita dhe inovacioni përzier me mjeshtërinë dhe autenticitetin sjellin përmes parfumeve të krijuara nga Etro, kujtime dhe nuancat nga vendet e largëta, ku spikasin nota dhe ndjesi magjepsëse, kryesisht me erëza nga India, ku dy prej më të njohurave janë Bajasthan dhe Via Verri, një përzierje e imagjinatës me esencat e sofistikuara, pa harruar dizajnin unik të flakonit.

Duke filluar nga viti 1985, Etro shtoi në portofolin e saj tekstile shtëpiake, qeramikë, letër muri dhe prej 5 vitesh ka linjën e saj të mobiljeve, kryesisht me dizajne që ruajne filozofinë e markës me copat e famshme me punime të theksuara, të cilat janë një ndër elementet kryesore të salloneve të mobilerisë nëpër botë.

Më shumë