Një shteg i ngushtë dhe i vështirë, ju njohim me kufirin më të çuditshëm në botë!

Marisa Karabeci
09/07/2022

Sot është kufiri më i ndërlikuar në botë, një shteg i ngushtë dhe i vështirë, por dikur ky rajon ka qenë fushëbeteja e Evropës dhe vendi ku kultura e gjeografia kryqëzohen. Rruga e kufirit ndjek një hekurudhë të vitit 1899 të quajtur Vennbahn, e cila lidh qytetin gjerman Aachen me Luksemburgun. E ndërtuar për të transportuar qymyr, hekur dhe çelik, hekurudha nxiti zhvillimin industrial dhe u zgjerua gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u përdor për të transportuar furnizime ushtarake. Në kohën kur përfunduan armiqësitë, Traktati i Versajës i vitit 1919 i dha Belgjikës tokën gjermane, së bashku me hekurudhën.

Një pjesë u aneksua nga Belgjika, por më vonë iu kthye Gjermanisë në vitin 1958, ndërsa pesë pjesë të tjera mbetën si enklava, pra territore të rrethuara plotësisht nga territore të tjetra. Në fund të shekullit të 20-të, transporti në linjën hekurudhore u ndërpre dhe u përdor vetëm si linjë për turistët, por në vitin 2013 u hap sërish, si një shteg biçikletash. I gjatë 125 km, shtegu i asfaltuar shtrihet në Gjermani, Belgjikë dhe Luksemburg. Çiklistët vijnë nga e gjithë Evropa për të pedaluar nëpër qytetet mesjetare, rezervatet natyrore dhe fushat e mëdha.

Edhe pse duket i izoluar, ky rajon është gjendur vazhdimisht në udhëkryq të historisë. Dikur, Napoleon Bonaparti, urdhëroi ndërtimin e një rruge për të lidhur këto qytete. Vite më vonë, Hitleri pushtoi rajonin dhe linjën hekurudhore, ku ende shihen barrierat e betonit të ngritura për të ndaluar përparimin e tankeve aleate. Katër vjet më vonë, trupat amerikane luftuan duke kaluar barrierat dhe arritën të çlironin enklavën e Roetgen.

Pas luftës, vendasit zbuluan se mund të fitonin duke kontrabanduar kokrra kafeje nga Belgjika në Gjermani, ku çmimet ishin tri herë më të larta dhe duke i dhënë rajonit një pseudonim të ri, “kufiri mëkatar”. Gjatë një periudhe pesëvjeçare, kontrabandistët transportuan më shumë se 1000 tonë kafe përtej kufirit, duke sjellë para të nevojshme në një zonë të varfër. Sot, kufiri është plotësisht i hapur dhe të vetmit tregues se po kaloni në një vend tjetër mund të jenë disa shenja të thjeshtë në rrugë. Një gur betoni, i shënuar B në njërën anë dhe D në anën tjetër, nënkupton se në njërën anë ndodhet Belgjika dhe në tjetrën Gjermania.

Më shumë