Nuk është karamele, mësoni se kur nuk duhet marrë ibuprofeni!

Marisa Karabeci
02/08/2022

Ibuprofeni është një nga medikamentet më të zakonshme në shtëpitë tona. Është një ilaç anti-inflamator që është i pranishëm në shumicën e kutive të barnave, së bashku me medikamente të tjera si paracetamoli ose betadina. Sipas Agjencisë Spanjolle për Medikamente dhe Produkte Shëndetësore (AEMPS), ibuprofeni përdoret për trajtimin e temperaturës dhe për trajtimin e dhimbjeve me intensitet të lehtë ose të moderuar, përfshirë migrenën. Përdoret gjithashtu për trajtimin e artritit, osteoartritit apo inflamacionit joreumatik.

Ibuprofeni vepron duke ndaluar prodhimin nga trupi të një substance që shkakton dhimbje, ethe dhe inflamacion. Edhe pse këto janë rastet në të cilat zakonisht përdoret ibuprofeni, është gjithmonë e nevojshme të shkojmë te një mjek që vlerëson situatën tonë dhe vendos nëse do të përshkruajë ose jo ilaçin për të shmangur ekspozimin e tepërt ndaj ilaçit. Për këtë arsye, AEMPS ka treguar në faqen e saj të internetit rastet në të cilat është e nevojshme të shmanget marrja e një ibuprofeni.

1.Nëse jeni alergjik ndaj ibuprofenit, barnave të tjera anti-inflamatore jo-steroide, aspirinës ose ndonjë prej përbërësve të tjerë të këtij ilaçi. Reagimet që tregojnë alergji mund të jenë skuqje me kruajtje, ënjtje të fytyrës, buzëve ose gjuhës, rrjedhje hundësh, vështirësi në frymëmarrje ose astmë.

2.Nëse keni sëmundje të rënda të mëlçisë ose veshkave.

3.Nëse keni pasur një ulçerë ose gjakderdhje në stomak ose keni pësuar një perforim të sistemit tretës.

4.Nëse villni gjak.

5.Nëse keni diarre me gjak.

6.Nëse jeni duke marrë hollues gjaku.

7.Nëse keni insuficiencë të rëndë të zemrës.

8.Nëse jeni në tremujorin e tretë të shtatzënisë.

Pse nuk mund të merret me probleme të zemrës apo gjatë shtatzënisë? Në veçanti, ekspertët theksojnë se personat me probleme kardiovaskulare dhe gratë shtatzëna ose gratë në moshë riprodhuese duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme. Në rast të problemeve me zemrën, Agjencia këshillon që të mos tejkalohet doza e rekomanduar ose kohëzgjatja e trajtimit, si dhe është e nevojshme të konsultoheni me mjekun nëse keni probleme me insuficiencë kardiake, operacion bypass, sëmundje të arterieve periferike apo nëse keni pësuar një atak në zemër.

“Ilaçet anti-inflamatore/lehtësuese të dhimbjes si ibuprofeni mund të shoqërohen me një rritje të vogël të rrezikut të sulmit në zemër ose goditje në tru, veçanërisht kur përdoren në doza të larta”, -shpjegojnë ekspertët spanjollë. Ata gjithashtu këshillojnë të konsultoheni me mjekun tuaj për trajtimin nëse keni presion të lartë të gjakut, diabet, kolesterol të lartë, keni një histori familjare të sëmundjeve të zemrës ose goditje në tru, ose nëse jeni duhanpirës.

Nuk rekomandohet marrja e ibuprofenit gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të shtatzënisë, përveçse nëse konsiderohet rreptësisht e nevojshme. Përsa u përket grave në moshë riprodhuese, medikamentet e tipit ibuprofen janë shoqëruar me një ulje të aftësisë për të mbetur shtatzënë.

Më shumë