Për ju që mendoni se shtatori nuk është muaji i duhur për të pushuar ne ju bindim për të kundërtën!

Marisa Karabeci
29/08/2022

Pas verës, shtatori është muaji që të kujton se pushimet kanë mbaruar. Por, nuk është kështu për të gjithë. Për ata që rikthehen në shkollë, natyrisht, është një muaj jo aq i mirëpritur, por për të gjithë të punësuarit, shtatori është një muaj i mirë edhe për të pushuar. Por pse duhet të zgjedhësh shtatorin? Shpesh, edhe nga studimet e kryera apo anketimet për të gjithë pushuesit e këtij muaji, thuhet se, mbi të gjitha, është një muaj i qetë dhe natyrisht, më i lirë.  Akoma nuk jeni të bindur? Ja ku i keni disa arsye pse shtatori është muaji më i mirë për të pushuar.

1. Çmimet më të lira

Sapo vjeshta troket zyrtarisht, çmimet në vendet turistike nuk janë më “të jashtme”. Edhe në booking, nëse do të kontrolloni, sezoni i ri ofron paketa me çmime më ekonomike, madje nëse zgjidhni më shumë se një javë, edhe këtu mund të gjeni ndonjë ofertë të vlefshme. Menjëherë pas gushtit, kur çmimet e shërbimeve, hotelerive apo edhe plazheve private kapërcejnë vlerat që kemi imagjinuar, shtatori, në këtë drejtim ‘flet me tjetër gjuhë’. Edhe familjet me të ardhura ekonomike të mjaftueshme, mund të gjejnë me pak para vende të bukura e plazhe me çmime të lira. Nga studimet e kryera, rezulton se çmimet në fillim të muajit shtator, ulen më shumë se 20% dhe shkojnë deri në 50% deri në fund të tij.

2. Moti i freskët

Kur vapa të zë frymën, edhe plazhi të bëhet i lodhshëm. Gjatë shtatorit, kur temperaturat fillojnë të zbresin, moti është në mes, pra nuk është vapë dhe as ftohtë, është koha ideale për të qenë jashtë gjatë gjithë ditës, madje edhe në orët e tmerrshme të pikut.

3. Biletat e udhëtimet

Nëse vërtet po kërkoni një vend për t’u çlodhur dhe për të shijuar pushimet tuaja verore larg qytetit dhe vendit ku banoni, sezoni i vjeshtës është një mundësi e shkëlqyer. Edhe biletat e avionëve në këtë kohë ofrohen me çmime më të ulëta. Përveç kësaj, edhe faturat për produktet e plazhit, kremrat apo edhe rrobat e banjës kushtojnë më lirë.

4. Më pak njerëz

Kë nuk shqetëson turma gjatë sezonit të verës? Shumica e destinacioneve të verës janë të përfshira nga turma. Njerëz që shkojnë gjithandej e askund, mbipopullim në plazhe, rrëmujë në det, por jo në shtator. Ritmi ka rënë, sepse në pothuaj çdo destinacion që do të zgjidhni ka nisur puna. Veçanërisht për ata që preferojnë më pak zhurmë dhe trafik të kufizuar, shtatori është muaji ideal. Melissa Caldarone, një nënë italiane që udhëton shpesh në parqe në SHBA, thotë se shtatori është koha ideale për të vizituar Walt Disney World dhe destinacione të tjera për fëmijë.

5. Koha ideale për të moshuarit

Rick Steves, ekspert udhëtimesh, inkurajon të moshuarit të marrin në konsideratë sezonin e vjeshtës për të pushuar, sidomos për udhëtimet në Evropë. Ai rekomandon si kohë për moshën e tretë periudhën prill-qershor dhe shtator-tetor. Këto periudha i ndihmojnë vizitorët të shmangin disa nga elementët më të lodhshëm gjatë udhëtimeve siç janë turmat dhe nxehtësia.

6. Ushqim më i freskët

Të gjithë ata që pushojnë gjatë muajve të verës, e dinë mjaft mirë se ushqimi është një temë delikate. Në restorante apo fast food-e, frika më e madhe është e produkteve që nuk e ruajnë gjatë freskinë, kështu që rreziku nga helmimi është gjithmonë i pranishëm. Ndërsa në shtator, rënia e temperaturave, por edhe produktet e stinës, bëjnë që siguria në ushqime të jetë më e lartë.

Më shumë