Miliona gra në gjithë botën marrin apo do të marrin pilula kontraceptive ndonjëherë në jetën e tyre. Një hulumtim i ri ka zbuluar që gratë obeze kanë një rrezik të shtuar nga krijimi i mpiksjes së gjakut gjatë kohës që marrin pilula. Ato kanë një rrezik më të lartë prej 12 deri në 24 herë nga zhvillimi i mpiksjeve të gjakut.
Studimet e mëparshme kanë zbuluar gjithashtu që pesha e tepërt gjatë marrjes së pilulave mund të rrisë rrezikun e krijimit të mpiksjeve të gjakut por kurrë nuk është konstatuar që ky rrezik është aq i madh. Ekspertët nga Italia, Spanja dhe Gjermania kanë thënë që gratë obeze të të gjitha moshave duhet të konsiderohen dhe trajtohen si grup i rrezikuar. Hulumtimi i cili është publikuar në “ESC Heart Failure” thotë që grave me peshë të tepërt duhet ofruar metoda alternative e kontracepsionit siç është pilula e cila përmban vetëm progesteron.
Kontraceptivët që përmbajnë estrogjen paraqesin rrezik për mpiksjen e gjakut. Kjo lloj mpiksje gjaku, e njohur si tromboza e venave të thella, mund të jetë fatale dhe zakonisht ndodh në këmbë dhe ka tendencë të prekë venat më të mëdha që kalojnë nëpër muskuj dhe kofshë. Të qenit mbipeshë rrit mundësinë e të gjithëve për të zhvilluar trombozë të venave të thella dhe kjo ndodh zakonisht tek gratë.
Ndërkaq, ndërprerja e pilulave kontraceptive do të thotë të ndjeni disa pasoja dhe ndryshime të mundshme në trup. Ndryshimet janë plotësisht normale, sepse ato janë dëshmi se nivelet e hormoneve në trup po kthehen në normale. Me metodën kontraceptive në fjalë, cikli menstrual është rregulluar dhe ai vjen në kohë çdo 28 ditë. Pas ndërprerjes, menstruacionet mund të jenë të parregullta për të paktën dymbëdhjetë muajt e ardhshëm.