Dizajni skandinav nderohet si kulmi i minimalizmit elegant dhe i sigurt, por cilat janë sekretet për të arritur këtë pamje të qetë në shtëpinë tuaj në vitin 2022? Këtu, tre dizajnerë skandinavë ndajnë rekomandimet e tyre për arredimin e shtëpisë nga estetika që reziston dhe keqkuptimet që duhen injoruar, deri te përditësimet aktuale që duhen sjellë.
Baza minimale
Për dizajneren Lotta Agaton, çelësi i përjetshëm për arritjen e stilit skandinav qëndron në përsosjen e një baze minimale, “duke punuar me materiale natyrore, si druri, guri, leshi dhe liri, dhe një gamë ngjyrash ton-në-ton”. Dizajnerja me bazë në Kopenhagë, Helle Mardahl shprehet se: “Sekreti duhet të jetë qasja minimaliste. Është një pjesë themelore e të kuptuarit tim të dizajnit, pavarësisht nëse po flasim për dekorimin e brendshëm apo arkitekturën. Thjeshtësia dhe linjat e pastra janë gjithmonë pika kryesore. Ne jemi të interesuar të krijojmë diçka që bie në sy, por megjithatë ka një lloj thjeshtësie në të. E pastër dhe e freskët.”
Kurimi
“Hiqni qafe gjërat që nuk tregojnë diçka në shtëpinë tuaj,” këshillon Nicholai Wiig-Hansen, drejtor artistik i markës së qeramikës Raawii. “Mblidhni pjesë që krijojnë humor të ndryshëm, në varësi të ndryshimeve të dritës, nga dita në natë. Përdorni një përzierje të gjërave të reja, të dorës së dytë dhe të trashëguara që kanë një kuptim personal për ju. Pasqyrat, në veçanti, mund të krijojnë një perspektivë të ndryshme, si dhe një perceptim të hapësirës.”
Kombinimet
“Ne po shohim shumë forma brutaliste dhe më lozonjare tani, si në mobilje ashtu edhe në objekte,” thotë Agaton për përdorimin e elementeve të kundërta në dhomë. “Ka gjithashtu shumë gurë që përdoren si detaje të brendshme”. Unë jam gjithmonë shumë i dhënë pas përzierjes së materialeve dhe formave moderne me klasikët.” Wiig-Hansen sugjeron kombinimin e materialeve që luajnë me njëri-tjetrin në një mënyrë interesante për të nxitur kuriozitetin ose diskutimin dhe shtresimin e burimeve të dritës për të krijuar një ambient të pasur në shtëpinë tuaj.
Mënyra skandinave nuk është të ndjekësh trendet por të zgjedhësh pjesë që kanë fuqi qëndruese; ato që krijojnë ambiente të brendshme të përjetshme por personale.
Mjeshtëria
Ka një fokus për të dalluar në dizajnin bashkëkohor skandinav, thotë Mardahl, duke përmendur qasjet eksperimentale dhe të guximshme të artistëve në zhvillim. Ekziston gjithashtu krenari për trashëgiminë e njohur të dizajnit të kulturës skandinave. “Ne kemi kaq shumë mobilje daneze klasike që janë bërë të njohura ndërkombëtarisht,” thotë ajo. Karrigia ‘Y’ nga Hans J.Wegner, llambat PH nga Poul Henningsen, karriga ‘Seria 7’ nga Arne Jacobsen, vetëm për të përmendur disa. Si dizajner, ju gjithmonë synoni të krijoni këto lloj pjesësh klasike që do t’i qëndrojnë provës së kohës dhe do të bëhen shtesa të njohura në shtëpitë e njerëzve. Mendoj se sekreti është mjeshtëria e shkëlqyer, materialet sublime dhe thjeshtësia.”
Keqkuptimet
Lëreni pas idenë se stili skandinav është i ftohtë, thotë Agaton. “Mendoj se baza është shpesh minimaliste dhe nuk ka shumë ngjyra të theksuara, por gjithmonë ka një ngrohtësi në mënyrën se si materialet përzihen dhe kontrastohen. Stilimi i objekteve dekorative është vendimtar kur bëhet fjalë për të bërë një hapësirë minimaliste të ngrohtë dhe tërheqëse.” “Natyrisht dhe për fat të mirë ka një mijë mënyra për të riinterpretuar dhe shprehur trashëgiminë e thjeshtësisë”, thotë Mardahl. “Njerëzit gabimisht mendojnë se thjeshtësia do të thotë e bardhë, por nuk duhet të jetë kështu.
Një hapësirë blu ose një vazo blu mund të jetë ende tepër e pastër dhe e thjeshtë. Thjeshtësia me një kthesë është ajo që ne u përpoqëm të arkivojmë kur dizajnonim showroom-in tonë të ri në fillim të vitit 2022. Ndërtesa jonë u krijua në 1780, kështu që ajo është mjaft e vjetër dhe vendosëm të krijojmë një lojë kontrastesh duke përzier klasiken me modernen. Detajet arkitekturore janë kaq elegante dhe ne donim të përmirësonim dhe respektonim historinë e hapësirës duke e bërë atë tonën.” Në fund të fundit, arti i vërtetë i stilit skandinav qëndron në këtë individualitet, thotë Wiig-Hansen.