Ushqimi më i veçantë francez është zyrtarisht pjesë e trashëgimisë së “UNESCO”-s!

Marisa Karabeci
01/12/2022

“Baguette”, buka e gjatë dhe me kore që është një element kryesor i shijes franceze, i është dhënë statusi i veçantë “UNESCO”. “Baguette” i bashkohet ushqimeve dhe kulturave të tjera të kuzhinës në listën e UNESCO-s të “Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, duke përfshirë prodhimin e picës napolitane, ‘kimchi’, kulturën belge të birrës, “dietën mesdhetare” dhe kafen arabe.

Tradita dhe mjeshtëria

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha për “CNN” se statusi i mbrojtur i ‘baguette’-ës i kushton haraç traditës, mjeshtërisë dhe siguron që mënyra artizanale e pjekjes t’i kalohet brezit të ardhshëm. Azoulay tha:

Është një lloj mënyre jetese. Ka gjithmonë një furrë afër, ku mund të shkosh të blesh bukë të freskët të dhe të takosh njerëz. Ky është një element shumë i rëndësishëm i kohezionit social. Kjo do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se kjo ‘baguette’ e zakonshme që ata e njohin shumë mirë, është diçka e çmuar. Ajo vjen nga historia dhe ka karakter dhe është e rëndësishme të ndërgjegjësohet publiku, të jetë krenar për këtë.

Azoulay tha se Francës iu deshën gjashtë vjet për të mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përpara se të dorëzonte kërkesën e saj në UNESCO. Ndërsa furrat në Francë zakonisht shesin lloje të shumta ‘baguette’-ash, më të mirat njihen si ‘baguettes de tradite’. Këto mund të bëhen vetëm me katër përbërës: miell, ujë, kripë dhe maja dhe duhet të piqen në çast. Bukëpjekësi parizien Priscilla Hayertz pranoi për portalin francez “AFP” se “baguette” ishte një produkt bazë, që prek të gjitha kategoritë socio-kulturore, qofshin të pasur apo të varfër.

Sipas “Observatoire du Pain”, një grup kërkimor që gjurmon zakonet dhe tendencat e konsumit të bukës në Francë, shkalla mesatare e konsumit ditor të bukës tek të rriturit ra nga 143 g/ditë në 2003 në 103 g/ditë në vitin 2016. Rritja e rrjeteve të supermarketeve që shesin bukë është fajësuar për mbylljen e qindra furrave të bukës në pronësi të familjes.

Më shumë