Strategjia për të tërhequr vizitorët, ky vend po u ofron para turistëve që t’i inkurajojë ata!

Anja Dervishi
29/03/2023

Shumë vende vazhdojnë të luftojnë për të rikthyer turizmin në atë shkallë që ishte përpara pandemisë COVID-19. Vende si Hong Kongu dhe rajone në Itali janë kthyer në ofrimin e udhëtimeve falas dhe madje edhe shtëpive falas për të inkurajuar njerëzit që t’i vizitojnë dhe për të ndihmuar në rritjen e ekonomive të tyre.

Vendi i fundit në këtë listë është Tajvani. Qeveria po u ofron turistëve rreth 163 dollarë për udhëtar ose rreth 653 dollarë për deri në 90,000 grupe turistike. Tajvani shpreson se shuma e mbështetjes financiare, do të jetë e dobishme për arritjen e qëllimit që vendi të presë 6 milionë turistë gjatë vitit 2023.

Propozimi është publikuar në fillim të muajit dhe siç ka sqaruar me atë rast ministri përkatës, paratë do të jenë në dispozicion të turistëve për shërbimet e akomodimit, por edhe për shpenzime të tjera gjatë qëndrimit në Tajvan. Edhe pse me atë rast nuk u saktësua se kur do të nisë zbatimi i kësaj ideje interesante për rimëkëmbjen e turizmit, është fare e qartë se mund të ketë ndikim në zgjedhjen e turistëve.

Kjo është pjesë e përpjekjeve që synojnë rindërtimin e sektorit të turizmit në Tajvan. Bëhet e ditur se vendi në fjalë ishte ndër të fundit, në tetor të vitit të kaluar, që hoqi kufizimet për hyrje brenda kufijve të tij. Sipas Bordit të Turizmit të Tajvanit, pak më pak se 900,000 turistë vizituan vendin vitin e kaluar, që konsiderohet një rënie e madhe, pasi viti 2019 ishte një vit rekord për numrin e turistëve. Atë vit u regjistruan 11.8 milionë vizita.

Kryeministri tajvanez deklaroi se vendi po përpiqet të kthehet “në rrugën e duhur me 10 milionë turistë” deri në vitin 2025. Edhe pse ideja e një vendi që paguan turistët për ta vizituar mund të duket e çuditshme, nuk mund të mohohet se do të ketë ndikim në rimëkëmbjen e turizmit.

Më shumë