Çfarë të presim nga filmi “Në kuadër të dashurisë”?! Regjisori Koloreto Cukali zbulon gjithçka!
Shumë pak ditë na ndajnë nga nata e madhe dhe e shumëpritur e zbulimit të filmit “Në kuadër të dashurisë“. Në datën 9 tetor në Pallatin e Kongeseve, publiku do të ketë mundësinë të shohë për herë të parë filmin së bashku me protagonistët e tij në sallë duke blerë biletën. I ftuar në “At The Movies” ka qenë regjisori dhe skenaristi i këtij filmi që publiku mezi po pret që ta shohë, Koloreto Cukali, i cili na ka zbuluar pak më shumë mbi këtë realizim.
Përveç vëmendjes së madhe që do të jetë tek personazhet, çfarë tjetër mund të themi për publikun?
Është shumë e vërtetë që pa dalë filmi, vëmendja do të jetë tek yjet kryesorë, siç ndodh kudo në botë. Por unë mendoj që ka vlera të tjera që e bëjnë filmin të mirë për t’u parë. Një vlerë që publiku duhet të shkojë ta shohë dhe ta marrë me vete. Po aq peshë ka dhe produksioni. Kur ishim me xhirime, e gjithë Korça u elektrizua se Top-i kishte ardhur në Korçë. Sigurisht edhe Luizi dhe Olta ishin në Korçë. Mos të harrojmë vlerën e produksionit që i merr këta personazhe dhe i fut brenda një produkti shumë të mirë e të paketuar shumë mirë. Është një film dinjitoz. Ndoshta jo kushdo mund të qeshi, apo ta pëlqejë por unë mendoj se ka dalë një film serioz dhe dinjitoz.
Kombinimi i aktorëve është gjithashtu shumë i gjetur, çfarë mund të na thuash për këtë?
Kemi një ansambël aktorësh që u flet të gjithëve. Çdo shqiptar kur sheh këtë kast, gjen dikë që e do. Luizi dhe Olta janë personazhet më të përfolur për shkak të “Big Brother” që është më i freskët, por kemi dhe Olta Dakun që është një divë e teatrit. Kemi Bes Bitrakun, që në këndvështrimin tim është një nga aktorët më të mirë të brezit të vet. Kemi yje si Ndriçim Xhepa dhe Luan Jaha, dy gjigantë që nuk mund t’i kalojë askush. Kemi Zamira Kitën. Pastaj kemi dhe personazhe karizmatikë si Salsano. Kemi dhe personazhe të tjerë që janë ose të teatrit ose të skenës televizive në film.
A ishte e vështirë t’i bëje bashkë të gjithë këta personazhe?
Ndonjëherë është një lloj energjie e mirë që ndodh. Nuk dua t’i jap vetes shumë merita për regjinë sepse është regjia ime e parë, por psh Ndriçim Xhepa nuk ka nevojë për regji. Sfida ka qenë me ata që e kanë pasur për herë të parë filmin si Luizi dhe Sara, por janë kaq të talentuar dhe kanë punuar shumë për rolin, që ma bënë shumë të thjeshtë punën.
Ke kohë që e përgatisje këtë skenar?
Skenari po flinte që në gushtin e vitit të kaluar. Kur po përpiqeshim të gjenim formën më të mirë për ta prezantuar, donim që të jetë sa më i mirë dhe i suksesshëm edhe për shkak se është krijimi i parë. E vetmja mënyrë për ta mbajtur kinemanë dhe teatrin gjallë, është të shkosh në kinema dhe teatër. Por sigurisht edhe ne duhet t’i ofrojmë diçka të mirë publikut.
Do të jetë një komedi e thjeshtë për të qeshur apo me situata prekëse dhe me një mesazh?
Romanca është e para. Mund ta quajmë romancë komike. Pastaj mbështillet me situata komike, por romanca dhe ngjarja e dy çifteve kryesore është në qendër të vëmendjes. Komedia është një zhaner që funksionon, por është një zhaner pak i vështirë. Por Shqipëria ka nevojë për të dyja. Ne kemi nevojë të qeshim dhe të duam. Historitë e dashurisë të bëjnë të ndihesh mirë. Dhe thelbi i këtij filmi është që të të bëjë të ndihesh mirë.