“Tirana Street Food Festival”, javën e ardhshme vjen “parajsa” gastronomike në kryeqytet!
Të gjithë ata që kanë një dobësi të veçantë për ushqimin, si edhe adhuruesit e kulturës në Tiranë kanë të gjitha arsyet për të qenë të lumtur, pasi Tirana Street Food Festival është gati të kthehet në edicionin e tretë.
Tirana Street Food Festival, i planifikuar të zhvillohet nga data 15 nëntor e deri më 20 nëntor, pritet që ta shndërrojë kryeqytetin tonë në një parajsë gastronomike. Kjo ngjarje e shumëpritur do të prezantohet mes një sërë ushqimesh të shijshme nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, si dhe përmes kuzhinës ndërkombëtare që pasqyron frymën multikulturore të qytetit. E jo vetëm ushqim, por edhe muzikë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe për Tiranën. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan:
Muzikë, festë dhe ushqim: Tirana Street Food Festival 2023! Në datat 15 deri në 20 Nëntor, te Sheshi “Skënderbej”, bashkohuni me ne për një aventurë kulinare të shumëllojshme nga shitës vendas dhe ndërkombëtarë.
Përveç ofertave të shijshme ushqimore, festivali do të ofrojë një platformë për kuzhinierët vendas dhe sipërmarrësit e ushqimit për të shfaqur ekspertizën e tyre të kuzhinës. Të pranishmit do të kenë mundësinë të ndërveprojnë me shefat e kuzhinës, të mësojnë për përgatitjen e pjatave të ndryshme, madje të marrin pjesë në demonstrime gatimi.
Muzika e drejtpërdrejtë, shfaqjet kulturore dhe instalimet artistike do të ngrohin më tej atmosferën e festivalit, duke krijuar një përvojë të gjallë dhe tërheqëse për të gjithë vizitorët.
Ky event është bërë i mundur nëpërmjet bashkëpunimit të bizneseve vendase dhe të huaj, entuziastëve të kuzhinës dhe mbështetjes së Bashkisë së Tiranës.