Klubi i Librit “DUA LIBRIN” gëzon dy vjetorin e tij.

Sindi Metushi
16/02/2024

Klubi i Librit “DUA LIBRIN” gëzon dy vjetorin e tij i frymëzuar me lexime, diskutime dhe ndarje të të njëjtit pasion mbi librin. Në këto dy vite, kemi lexuar letërsi të mirë e kemi sjellë idetë e trajtuara nga Orwell, Remarque, Wilde, Garcia, Llosa, Barnes, Huxley e deri te Murakami, Kundera, Saramago, Barnes, Eco etj për kuptimin e jetës, për vetminë, për dashurinë, për kujtesën, për lumturinë, për lirinë e kërcënuar nga pushteti dhe vlerën e pazëvendësueshme të leximit.

Gjatë kësaj kohe kemi ndarë me njëri tjetrin frikën e Vargas Llosa se “një popull që nuk lexon mund të manipulohet lehtë”. Po ashtu, duke ndarë shqetësimin për studime e raporte që i rendisin shqiptarët e të rinjtë në nivele shumë të ulëta në arsim e lexim, duke qenë të vetëdijshëm dhe për mungesë komunitetesh libri nëpër shkolla e universitete, në këto dy vite përvoje kemi kuptuar që “Dua Librin” përveçse një pasion mund të shkojë përtej takimeve intime, në iniciativa me ndikim më të gjerë social. Leximi për ne përbën edhe mjetin e dëshirën për rritjen e një komuniteti lexuesish si premisë për të bërë një shoqëri më kritike e më rebele ndaj realitetit.

Ndaj na u bashkoni në këtë gëzim që vjen prej leximit, për të harxhuar më pak kohë para ekraneve, për të kuptuar e vetëdijësuar më shumë për realitetin, e në fund, për ta bërë njëri tjetrin më të mirë.

DITA / ORA

(E premte) 19:00

VENDI

Qendra Dua

Rr. Naim Frasheri, 67 Tiranë

Më shumë