Art

“Nga pafajesia në pafajesi”,në skenën e TKEKS

Sindi Metushi
15/04/2024

Nga Pafajësia në Pafajësi është një performancë e veçantë eksperimentale për skenën
shqiptare pasi ndërthur elemente të baletit modern, shoqëruar nga skenar i lexuar dhe
i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër. Teksti dhe performanca bashkojnë
në mënyrë artistike dhe abstrakte kulturën shqiptare dhe realitetin e përditshëm të
kryeqytetit, të pasuruara me grimca nga jeta e protagonistit, duke përfshirë frikërat,
mendimet, përvojat, dhe nostalgjitë e tij si njeri dhe si artist. Emigrimi është një nëntekst
i shfaqjes, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse
ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga ‘Edeni’ i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë.
Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në
vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në
Europë.
Në këtë shfaqje, skenari origjinal përfshin, krahas poezisë dhe prozës së dy autoreve,
poezi shqiptare dhe përkthime të vargjeve nga poetë të zgjedhur botërorë, si edhe rreshta
nga legjendat shqiptare si ajo e Rozafës. Kështu, trajtohen në mënyrë implicite traditat
gjinore në kulturën shqiptare por edhe ne jetën apo mendimet e protagonistit. Temat
kryesore të performancës përfshijnë zhvillimin e jetës, nga pafajësia e një fëmije deri tek
përpjekjet e një artisti për të njohur veten, dhe për të arritur shpirtërisht dhe artistikisht
atë që kërkon në vendin e tij.
Performanca mbetet ne thelb shqiptare, dhe mund të interpretohet edhe si një vepër
dedikuar vendlindjes. Në këtë kuadër, elemente të folklorit shqiptar, si fustanella dhe
qeleshja, apo edhe elemente të përzgjedhura të valleve shqiptare – të cilat balerini i
zotëron në mënyrë profesionale – do të përdoren jo vetëm si elemente estetikë, por edhe
si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare. Muzika e përzgjedhur
është gjithashtu e kompozuar tërësisht nga artistë vendas. Këto elemente kanë rëndësi
të veçantë pasi shfaqja projektohet të vihet në skena të ndryshme ndërkombëtare,
ku prezantimi i kulturës shqiptare në mënyrë kaq gjithëpërfshirëse – pasi ajo përfshin
balet, valle, veshje popullore, muzikë dhe letërsi shqiptare – si edhe trajtimi njëkohësisht
modern dhe tradicional i dhuron një vlerë edhe më të madhe kësaj performance.

Performancë nga Julian BULKU
me të ftuar
Gean ARBANA, Nermin STRAZIMIRI, Eva MUHAMETI,
Panagiata STYLIAMORI, Laura DRAMALLI, dhe Sier VASO
Drejtor Artistik Julian BULKU
Regjia Inis GJONI, Shkruar nga Jora VASO dhe Kleitia VASO
Lexuar nga Rajmonda BULKU, Bujar ASQERIU, Gean ARBANA dhe Julian BULKU
Muzika Alban LARO, Dizajn, editim, miksim dhe masterizim i audios Arsen P
Kostumografi dhe Skenografi Meri MERAJ, Piktor Bledar GRAMO
Fotografi Lauren BEKTESHI dhe Jora VASO
Galeri

COD

Silvia Tabaku

Më shumë