10 harqet natyrore më të bukura në botë!

Marisa Karabeci
24/06/2024

Harqet natyrore konsiderohen si arketipe misterioze që gjithmonë e kanë magjepsur njeriun. Të vendosura kryesisht në vende të largëta dhe ndonjëherë të paarritshme, harqet shndërrohen në destinacione shumë të kërkuara nga eksploratorët aventurierë. Njihuni me dhjetë harqet natyrore më të bukura në botë:

Delicate Arch, Utah, SHBA

Në Shtetet e Bashkuara ka një park të tërë natyror kushtuar harqeve, siç është Parku Kombëtar, Arch Canyon. Një zonë natyrore e mbrojtur që përmban mbi 2000 harqe natyrore me gur ranor, si dhe përbën vendin me dendësinë më të madhe të këtyre formacioneve magjepsëse në botë.

Rainbow Bridge, Arizona, SHBA

Ky hark madhështor natyror është i fshehur në një zonë të largët në Arizona. Me hapësirën e saj prej 84 metrash dhe një lartësi prej 94 metrash, Rainbow Bridge është një nga më të mëdhatë në botë, e gdhendur nga erozioni i erës dhe një lumë që tani ka devijuar rrjedhën.

Pedra Furada, Serra da Capivara, Brazil

Pedra Furada është një vend arkeologjik i vendosur në Parkun Kombëtar Serra da Capivara, në Brazilin veriperëndimor. Në këtë sit, që është një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, janë gjetur piktura shkëmbore. Peisazhi mbizotërohet nga malet e larta, në të cilat ndeshen formacione shkëmbore spektakolare.

Moon Hill, Kinë

Ndodhet në pjesën jugore të rajonit autonom të Guangxi, ose siç njihet ndryshe: “Kodra e Hënës”. Emri i është vendosur për shkak të formës së veçantë gjysmërrethore, pothuajse në formë të përsosur si një gjysmëhënë. Kodra është e ngjitshme në disa periudha të vitit, por kërkon përvojë dhe stërvitje të shkëlqyer.

Aloba, Çad

Harku Aloba, me shtrirjen e tij mbi 75 metra dhe pothuajse 400 metra lartësi maksimale, është një nga më të mëdhenjtë në botë. Ndodhet në rrafshnaltën Ennedi në shkretëtirën e Saharasë, në një rajon të largët.

Brana, Republika Çeke

Është harku më i madh ranor në Evropë dhe mbrohet si monument natyror kombëtar, për ta ruajtur atë nga erozioni i shkaktuar nga numri i madh i turistëve. Ndodhet brenda Parkut Natyror Bohemian, pothuajse në kufirin midis Republikës Çeke dhe Gjermanisë.

7. Alpet Apuan, Lucca

Harku, i cili gjendet në Alpet Apuan, ka një hapësirë prej 32 metrash. Veçantia e këtij harku është se aty mund të shihet fenomeni i diellit që “perëndon dy herë”; fillimisht pas malit, pastaj nën hark.

Timna Park, Izrael

Parku Timna ndodhet në pjesën jugore të vendit. I famshëm për shkëmbin e tij në formë kërpudhe, parku është gjithashtu shtëpia e mureve shkëmbore, në të cilat formohen harqe mahnitëse dhe disa nga minierat më të vjetra të bakrit në botë.

Hajducka Vrata, Bosnjë

Parku Natyror Blidinje, i vendosur në jug të Bosnjë-Hercegovinës, është shtëpia e disa atraksioneve të mrekullueshme natyrore, duke përfshirë një unazë të madhe guri të vendosur rreth 2000 metra mbi nivelin e detit. Sipas legjendës, apostatët, pra ata që kishin hequr dorë nga besimi i tyre fetar, kalonin nëpër këtë rreth guri duke besuar se padrejtësia, plumbat e armikut dhe ligji nuk mund t’i kapnin më.

Pont D’Arc Vallon, Francë

Vendosur në Francën jugore në rajonin Auvergne-Rhône-Alpes, kjo urë shkëmbore kalon lumin Ardeche në Francën jugore dhe është harku më i madh natyror në Evropë. Harku është 60 metra i gjatë dhe 54 metra i lartë. Është shumë i vizituar nga turistët të cilët tërhiqen nga bukuritë e peizazhit dhe mundësia për të admiruar zonën me kanoe dhe kajak nga lumi poshtë.

Më shumë