Marrja e multivitaminave çdo ditë mund të rrisë rrezikun e vdekjes së hershme/Studim!

Marisa Karabeci
27/06/2024

Marrja e multivitaminave çdo ditë nuk i ndihmon njerëzit që të jetojnë më gjatë dhe në fakt mund të rrisë rrezikun e vdekjes së hershme. Në këto përfundime ka dalë një studim i realizuar në SHBA. Studiuesit amerikanë analizuan të dhënat shëndetësore nga gati 400,000 të rritur pa sëmundje serioze afatgjata për të parë nëse multivitaminat ditore reduktojnë rrezikun e vdekjes gjatë dy dekadave të ardhshme.

Në vend që të jetonin më gjatë, njerëzit që konsumonin multivitamina çdo ditë kishin pak më shumë gjasa, sesa jo-përdoruesit, të vdisnin në periudhën që u krye studimi, duke nxitur studiuesit të shprehen se përdorimi i multivitaminave për të përmirësuar jetëgjatësinë nuk mbështetet.

Tregu global për suplementet vlerësohet të jetë me vlerë dhjetëra miliarda dollarë çdo vit. Në SHBA, një e treta e të rriturve përdorin multivitamina me shpresën për të parandaluar sëmundjet. Ndërsa burimet natyrore ushqimore të beta-karotenit mbrojnë kundër kancerit, për shembull, suplementet beta-karoten mund të rrisin rrezikun e kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të zemrës duke sugjeruar që suplementeve u mungojnë përbërës të rëndësishëm.

Ndërkohë hekuri, i cili shtohet në shumë multivitamina, mund të çojë në mbingarkesë me hekur dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe demencës. Dr. Erikka Loftfield dhe kolegët në Institutin Kombëtar të Kancerit në Maryland analizuan të dhënat nga tre studime të mëdha shëndetësore në SHBA. Të gjitha u nisën në vitet 1990 dhe mblodhën detaje mbi përdorimin e përditshëm të multivitaminave të pjesëmarrësve.

Të dhënat mbuluan 390,124 të rritur përgjithësisht të shëndetshëm, të cilët u ndoqën për më shumë se 20 vjet. Studiuesit nuk gjetën asnjë provë që multivitamina ditore reduktonte rrezikun e vdekjes dhe raportuan një rrezik 4% më të lartë të vdekshmërisë midis përdoruesve në vitet e para të ndjekjes.

Llojet e caktuara të vitaminave dhe mineraleve mund të shkaktojnë probleme gastroenterologjike nëse nuk merren siç duhet. Shkencëtarët nga Qendra Mjekësore Langon e Universitetit të Nju-Jorkut tregojnë se është e nevojshme t’u kushtohet rëndësi disa gjërave. Ka nutrienë të cilët organizmi më mirë mund t’i shfrytëzojë nëse i merrni bashkë me racionin. Mirëpo ekzistojnë edhe disa vitamina shtesë, të cilat është më mirë të merren pavarësisht nga racioni. Vitaminat të cilat kanë përbërje “të thartë”, siç janë vitamina C dhe folatet, mund të shkaktojnë të vjella nëse merren në stomak të zbrazët.

Më shumë