Shumë hulumtime dhe debate janë kryer rreth temës së shtypjes së gjakut. Për të qenë të shëndetshëm, kontrollimi i shtypjes së gjakut është mëse i domosdoshëm, pasi shtypja e gjakut mund të shkaktojë edhe vdekjen. Në terma të thjeshtë, shtypja e cila shkaktohet kur gjaku shtypet në muret e enëve të gjakut quhet shtypje e gjakut. Gjatë kontrolleve mjekësore gjithmonë përmendet edhe shtypja e gjakut, sepse është rutinë e cila e determinon elasticitetin e mureve të artereve tona dhe zbulon nëse jemi në rrezik për të pësuar sulm në trup apo në zemër.
Simptomat e shtypjes së ulët të gjakut janë marramendja, shikimi i turbullt, puna jo e rregullt e zemrës, shtimi i etjes, frymëmarrja e shkurtër, lëkura e ftohtë, e djersitur dhe e zbehtë. Para së gjithash, nuk duhet të qëndroni gjatë në këmbë në një vend, sidomos në diell. Kini kujdes të mos bëni lëvizje të vrullshme, si edhe të pini sa më shumë lëngje. Gjatë ditëve të ngrohta njerëzit e rrezikuar me tension të ulët, por edhe personat me tension të lartë të gjakut duhet të kujdesen.
Tensioni i lartë është më i rrezikshëm, sepse rrit rrezikun nga sëmundjet e zemrës, infarktit dhe dështimit të veshkave, mirëpo problemet janë më të shpeshta dimrit kur enët e gjakut për shkak të të ftohtit ngushtohen, prandaj kalueshmëria e tyre zvogëlohet, gjë që rrit presionin. Simptoma e tensionit të lartë mund të jenë marramendja, por edhe dhembja e kokës, përkatësisht e qafës, si edhe ndjenja e peshës në kraharor dhe lodhja e shpejtë.
Një ndër simptomat e tensionit të lartë mund të jetë çrregullimi i shikimit, por, fatkeqësisht, mund të çojë edhe në sulm në tru. Tensioni i lartë më së shpeshti mund të rregullohet pa ilaçe dhe kur normalizohet është e mundshme të mbahet në nivel të shëndetshëm duke iu përmbajtur shprehive të shëndetshme. Baza e ushqimit e personit me tension të lartë të gjakut duhet të jenë pemët dhe perimet, mishi i peshkut, por sa më pak mish të kuq.