Shega është një ndër frutat më të rrallë për nga vlerat që ka për shëndetin. Ajo është fruti “shërues” i pasur me antioksidantë, gjithmonë vlerësuar si simbol i shëndetit. Shumë studime kanë vërtetuar që bëhet fjalë për një nga frutat më shëruese në botë për shkak të ndikimit të dobishëm në sistemin kardiovaskular, nervor dhe eshtëror. Është treguar që edhe doza ditore e ekstraktit të shegës nga i cili më së shpeshti konsumojmë çaj ose pekmez, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe nivelit të kolesterinës. Shkencëtarët konsiderojnë që kjo mund të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës.
Kokrrat e shegës janë thesare që duhen nxjerrë nëpërmjet disa teknikave të caktuara. Nëse nuk tregoni kujdes në hapjen e shegës, me siguri do të keni njolla në duar e në rroba që pastrohen me vështirësi. Çelësi i suksesit të pastrimit të rrobave nga lëngu i shegës është që të reagoni menjëherë. Sa më shumë që të qëndrojë lëngu në copën e rrobës, aq më e vështirë, në mos e pamundur, do të jetë pastrimi i saj. Përzini treçerek gote uji të nxehtë me një lugë gjelle me sodë buke, ose më shumë në varësi të njollës.
Vendoseni rrobën në një legen dhe sigurohuni që njolla të jetë e mbuluar nga tretësira e sodës së bukës. Mbajeni njollën të mbuluar nga tretësira për të paktën 15 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të ftohtë dhe lëreni rrobën të thahet. Për heqjen e njollës së shegës mund të përdorni edhe uthullën e bardhë. Në një enë qelqi ose plastike përzieni ujë të ftohtë, një lugë çaji me larës të lëngshëm dhe më pas lageni një napë pambuku dhe fërkoni njollën sa më shumë deri sa pjesa më e madhe të pastrohet.
Më pas, merrni një leckë të thatë, lageni bollshëm me uthull të bardhë dhe fërkojeni në mënyrë rrethore. Zona e njollës do të vishet me shkumë dhe duhet ta pastroni atë deri në fund me ujë të pastër që mos të ngelet gjurmë larësi apo uthulle. Kini parasysh që njollat e shegës nuk hiqen dot nëse nuk reagoni që në sekondat e para të njollës. Një substancë tjetër që mund të përdorni për pastrim është lëngu i limonit. Zbardhuesit janë të rrezikshëm dhe nuk duhen përdorur në rroba ose në tapete sepse mund t’i dëmtojnë ato pa mundësi rregullimi.