Festimet e natës së ndërrimit të viteve sipas orës lokale/Ja kush e nis dhe kush e mbyll!

Silvia Tabaku
31/12/2024

Të parët dhe të fundit në botë që do të bëjnë gëzuar për vitin e ri do të jenë banorët e ishujve të vegjël në Paqësor. 2025-a do të fillojë, 13 orë përpara me GMT, në Kiritimati ose Ishulli i Krishtlindjeve, ku kalon linja ndërkombëtare e datës, gjurmë imagjinare e vendosur në vitin 1884.

Të fundit që do të mbeten në vitin 2024 do të jenë banorët e ishujve Samoa, një zonë polineziane, që do të festojë 11 orë pas GMT, me festa piktoreske në plazh.

Ndër vendet e shumta në botë që njëri pas tjetrit do të përshëndesin vitin e ri para evropianëve, është Auckland në Zelandën e Re, i pari qytet i madh në botë që mirëpret vitin e ri duke hapur shishet 12 orë para se festa të nisë në Evropë.

Më pas do të jetë radha e Sidnejt (10 orë përpara) ku, sipas traditës, pritet një megashfaqje me fishekzjarrë në Gjirin e Operas. Ato do të hidhen nga 264 pika në Urën e Harbourit, për herë të parë edhe nga ana perëndimore.

Pritet që rreth një milion njerëz të marrin pjesë në shfaqjen gjatë së cilës mbi nëntë tonë fishekzjarrë do të ndriçojnë qiejt e qytetit, duke krijuar efekte speciale në qiell.

Në Japoni dhe Tokio, dita e parë e vitit të ri arrin tetë orë para nesh, kur fenerët e bardhë do të ngrihen në qiell nga Kopshtet Perandorake.

Dhe përsëri, festimet do të pasojnë në Singapor përpara se të kalojnë në Indi (katër orë) e Rusi (në Moskë festojnë dy orë para evropianëve).

Britanikët në Londër dhe portugezët në Lisbonë do të qëndrojnë në vitin 2024 një orë më shumë, ndërsa Azoret do të jenë pjesa e fundit e tokës evropiane që do të hyjë në 2025 (+2 orë).

Katër orë pas asaj në Evropë, festa do të fillojë në Rio de Zhaneiro, ku në Copacabana do të zhvillohen festimet piktoreske të plazhit, të krahasueshme me karnavalet dhe me rreth 2,5 milionë njerëz të veshur me rroba të bardha, si shenjë e fatit dhe prosperitetit.

Gjashtë orë pas dollive në Evropë, viti 2025 do të mbërrijë edhe në “Times Square”, në Nju Jork, ku si gjithmonë takimi do të jetë numërimi mbrapsht me rënien e topit, një traditë që është përsëritur që nga viti 1907.

Një nga qytetet e fundit të mëdha për të pritur vitin e ri do të jetë Los Anxheles (+9 orë). Dhe më pas Havai (+11 orë), për të mbyllur përfundimisht rrethin me Samoan Amerikane, ishuj të vegjël në Paqësor që do të festojnë 2025-ën, 12 orë pas evropianëve.










Më shumë