“Saga e familjes Marks”/Mes të kaluarës dhe të tashmes, reales dhe surreales, një vështrim i rënies së regjimeve komuniste!

Anja Dervishi
27/03/2025

“Saga e familjes Marks” është një roman piktoresk për jetën e filozofit gjerman Karl Marks, por i ambientuar në kohën e rënies së Murit të Berlinit; një biografi letrare e themeluesit të socializmit shkencor dhe, në të njëjtën kohë, një reportazh i jashtëzakonshëm i situatës së rënies së regjimeve komuniste.

“Saga e familjes Marks” është një portret i një familjeje me një histori, ose, ndryshe, tregimi i historisë përmes një familjeje: ajo e Karl Marksit, i cili i indinjuar dëshmon shembjen e ideologjisë së tij dhe diskreditimin e mendimit të tij në fund të shekullit të 20-të. Juan Goytisolo krijon një kaleidoskop në të cilin e kaluara dhe e tashmja, njerëzit, ngjarjet dhe diskurset shkrihen, në një përpjekje të guximshme kritike që këmbëngul në fiksionalizimin e realitetit nga hileja bazë se Marksi dhe pasuesit e tij (përfshirë armiqtë e tij historikë) janë ende gjallë dhe mendojnë, edhe pse tani të pafuqishëm, duke parë televizor dhe duke qenë dëshmitarë të rënies së komunizmit.

Skena hapëse është e refugjatëve shqiptarë që ‘pushtojnë’ plazhet e bukura të Italisë në kërkim të jetës më të mirë (siç ndodhi, pak a shumë, në fillim të viteve 1990). Është një skenë e parë në televizor, siç rezulton, nga familja Marks. Marksi është transpozuar në kohët moderne, ka mbetur në vazhdën e një bote që sapo ka hequr dorë nga ai dhe mësimet e tij, ndërsa regjimet që pretendonin se ndiqnin këto mësime u shkatërruan njëri pas tjetrit.

Goytisolo luan lirshëm me personazhet e tij, duke i vendosur ato në të kaluarën dhe të tashmen, duke përshkruar sesi marksizmi u bë ideologjia e këtyre shteteve të dështuara, duke sjellë revolucionarë të tjerë (anarkisti Anselmo Lorenzo, për shembull). Goytisolo ofron mjaft fakte, por ai gjithashtu i vesh ato në një mënyrë të pazakontë.

Autori udhëton shumë larg në këtë trillim surreal: Marksi, i panjohur në Parisin e sotëm, në një takim të Partisë Komuniste. Marksi në Moskën post-sovjetike, në një ekspozitë të artit realist socialist, i qortuar dhe i mallkuar nga figurat në piktura. Një skenar i jetës së Marksit. Goytisolo e gërsheton atë me zgjuarsi, duke mos i lënë kurrë fijet e ndryshme të largohen shumë. Ndjenja e tij e humorit – e mprehtë, deri në pikën e absurdes – ndihmon gjithashtu për të përqendruar vëmendjen e lexuesit.

I botuar në vitin 1993, njëqind vjet pas vdekjes së Karl Marksit, romani pati një ndikim të jashtëzakonshëm në vende si Anglia, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania dhe Franca, kritikët e të cilëve e konsideruan atë “një nga librat më pak stil labirint dhe më argëtues të Juan Goytisolo”, “një firmë letrare në fytyrën dhe aventurën e plotë të kulturës së librit”, me jehonat e Swift-it dhe Servantes-it, që ndërthurin në mënyrë të mrekullueshme imagjinatën dhe dokumentacionin”. Ironik, sarkastik, humoristik dhe i tepruar deri në paradoks, “Saga e familjes Marks” është një roman me gëzim anakronik që i jep një goditje vdekjeprurëse biografisë historike.

Ky është një roman thellësisht politik, por përtej një simpatie të madhe me Marksin dhe familjen e tij Goytisolo nuk merr asnjë nga anët e dukshme. Ai pranon se shtetet nën ndikimin sovjetik dështuan, me kujtimin se nuk ishin “marksiste” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ai sheh njëfarë vlefshmërie në marksizmin e vërtetë, ndërkohë që pranon dobësitë e tij të dukshme dhe rreziqet që mund të paraqesë.

Më shumë