Panairi i Librit, kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese “Onufri” Katia Dedia jep sugjerimet më të mira të kësaj periudhe dhe jo vetëm!

Silvia Tabaku
18/11/2021

Ditën e sotme, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ishte kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese “Onufri” Katia Dedia, për të na folur në lidhje me “Panairin e Librit” që ka nisur ditën e djeshme. Si e gjeti shtëpinë botuese “Onufri” ky panair?

Ky panair siç edhe pritej duke qenë se ka bërë 1 vit mungesë vjen me energji të reja, libra të rinj dhe ka pasur goxha interes. Është pritur shumë mirë nga lexuesit dhe autorët.

Si ishte të bëhej një panair online?

Në fakt ka pasur vështirësitë e tij sepse dhe lexuesit nuk ishin mësuar me atë formë dhe është një farë moshe, personat e moshës së tretë që nuk janë aq të mirë në teknologji dhe nuk dinin as si t’i porosisnin librat, por për të rinjtë eci mirë. Rëndësi ka që ju rikthyem ashtu siç është bërë gjithmonë. Ishte shumë mirë ashtu siç e prisnim, ka pasur lexues nga të gjitha moshat, disa me ide të qarta, disa kërkonin sugjerime. Kjo na mbush me gëzim dhe kuptojmë që shqiptarët vërtet kanë interes për leximin.

A është brezi i ri larg librave?

Është e vërtetë që brezi i ri është më larg librit, jemi në një kohë që tani ka shumë pak kohë dhe kanë mënyra të ndryshme për të marrë informacione dhe libri është lënë pak pasdore por nuk është kaq dramatike sa lexojmë kudo. Ka libra që i kemi çdo vit në stendë, si përshembull Ismail Kadare, ka lexues të veprës së Kadaresë që vijnë me ide të qarta. Pëlqehet shumë letërsia e huaj që e kemi edhe këtë vit. Jemi fokusuar tek letërsia klasike, kryesisht Homeri, Odisea, Virgjili, Eskili, Sofokliu. Kemi dhe Márquez, që vjen me të gjitha veprat e tij dhe e kemi ne të drejtën e botimit.

Risia dhe misioni që ka sjellë këtë vit “Onufri”?

Një risi për lexuesin shqiptar këtë vit është se ka sjellë mbi 20 tituj të rinj të autorëve shqiptar, kosovarë, të të gjitha trevave. Padiskutim që kur vjen ndonjë email apo sugjerim për të botuar një libër aty shikohet çdo gjë me vëmendje dhe pastaj nis puna me librin derisa të jetë në dorën e lexuesit.

Çfarë sugjerime na jep Katia për të gjithë lexuesit?

Sugjerime do të bëja pafund sepse kemi mjaft tituj interestant për lexues të moshave të ndryshme. Do të filloja që nga letërsia klasike, do të sugjeroja disa nga titujt: Agron Tufa me romanin “Ngjizja e papërlyeme”, Mira Meksi me “Kutia e Agatha Christie-t”, “Liria Ime” e autorit kosovar Mehmet Kraja, “Të çmendur në Parajsë” nga Virion Graçi, “Një shaka e vogël me vdekjen” nga Bashkim Hoxha, Lindita Arapi me romanin “Të murosurat”, “100 vjet vetmi” dhe “Dashuria në kohërat e kolerës” nga Márquez.

A i ka ndodhur ndonjëherë kryeredaktores të ketë një afeksion me ndonjë shkrimtar shqiptar?

Kam fatin e madh se shkrimtarët i takoj përpara panairit sepse merrem me librin dhe ndaj mendime për librin. Kam afeksion me disa dhe i kam vërtet shumë të dashur aq sa ndonjëherë kur lexoj veprat them mos ndoshta ngaqë i dua shumë ndikohem nga veprat e tyre?

Në mbyllje të intervistës, Katia Deda ka një këshillë për të gjithë dhe i fton të gjithë lexuesit të bëhen pjesë e panairit…

Lexuesit i ftoj të vijnë në panair, qoftë dhe sikur një libër ta blejnë, i zgjeron horizontin dhe pse jo të heqin pak dorë nga rrjetet sociale. Ne çdo vit vijmë me ulje nga 20% deri në 30% por, ka libra dhe me 50%. Çmimet nuk është se janë shumë të larta, përshembull veprat e Kadaresë, kanë një çmim goxha të përballueshëm edhe pse është një autor shumë i mirë. Ne do jemi çdo ditë deri ditën e dielë në orën 21:00. Lexuesit kanë mundësi të takojnë edhe autorët dhe të ndajnë mendimet e tyre.

Më shumë