Nga 21–23 gusht, zemra e Alpeve Shqiptare do të ketë një tjetër ritëm: “Ah Theth”!

Anja Dervishi
18/08/2026

Thethi bëhet këtë gusht destinacioni i një prej eventeve më të veçanta muzikore të verës. Nga 21 deri më 23 gusht, “Ah Theth” sjell një eksperiencë ku muzika, natyra dhe atmosfera e Alpeve Shqiptare ndërthuren në një skenë krejt ndryshe.

Bëhet fjalë për një udhëtim muzikor që nis me atmosferën e mbrëmjes dhe vazhdon gjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit. Programi do të ndërthurë DJ set-e, performanca live dhe artistë të zhanreve të ndryshme, në një skenë, pasqyrë që reflekton peizazhin e Thethit.

Dhe lista e artistëve është një nga arsyet pse ky event pritet të tërheqë vëmendje. Në Theth do të performojnë Ad Disha, Alis, Dagz & PM, Danny & Arenchii, Gawdx, Gimbo, Gjesti, Hypemuji, Johnny, Kori Okarina, LetSKillua, Lord Of Dreams, Loré, Lupo, Mal, Miri Feruku, Olimpia, Panda, Sardi Strugaj, Serena, Sheila Haxhiraj, Shkodra Elektronike, Slohh, Tony Toy, Venera & Lind dhe Young Zerka.

Një kombinim mes muzikës elektronike, performancave live dhe emrave të njohur të skenës shqiptare, që pritet ta kthejë Thethin në një pikë takimi për muzikdashësit gjatë asaj fundjave.

Por “Ah Theth” nuk është menduar vetëm për ata që janë gati të nisen drejt maleve. Organizatorët kanë menduar edhe për aspektin praktik të udhëtimit, duke ofruar mundësi të organizuara për  vajtjen dhe kthimin nga Thethi, në mënyrë që pjesëmarrësit të fokusohen te eksperienca dhe muzika.

“Ah Theth” organizohet nga DoART dhe synon të sjellë një tjetër mënyrë për ta përjetuar Thethin: jo vetëm përmes natyrës dhe peizazheve, por edhe përmes muzikës, energjisë dhe netëve që zgjasin deri në agim.

Tre ditë në male, një skenë mes natyrës dhe një lineup që bashkon shumë prej emrave të skenës muzikore shqiptare. Ah Theth duket se po përgatitet të jetë një nga arratisjet muzikore më interesante të kësaj vere.

Kështu lindi edhe emri i festivalit. Një pasthirrmë. Një emocion. Por edhe një homazh për ahun, pemën karakteristike që rritet në këtë zonë.

Ka vende që vizitohen.

Ka vende që fotografohen.

Dhe ka vende që të bëjnë të thuash vetëm një fjalë…

Ah…

Më shumë