Loreta Berhami na jep sugjerimet e shtëpisë botuese “Pegi”!

Silvia Tabaku
19/11/2021

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ishte drejtoresha e shtëpisë botuese “Pegi”, Loreta Berhami për të na dhënë sugjerimet e saj për librat që do t’i gjejmë në Panairin e Librit. Cilat janë botimet e reja të “Pegit” dhe pse duhet t’i lexojmë këto libra?

Botimet e reja ekskluzivisht për këtë panair janë “Klara dhe Dielli” me autor Kazuo Ishiguro, “Kënga e Penelopës” me autore Margaret Atwood, përkthyer nga Endri Ibro, “Vajzat e fshatit” nga autorja Edna O’Brien dhe “Kosherja” nga autorja Camillo José Cela. Këta janë romane për të rritur, ndërsa romane për të rinjtë, “Eliza dhe krijesat e saj” nga Francesca Zappia dhe “Geri Hop, Rizgjimi i gjigandëve” me autor Moony Witcher. Fëmijët që kanë lexuar “Geri Hop 1” janë duke e mirëpritur. Në letërsinë për fëmijë ndiqet kjo modë, nëse mund ta quaj modë, krijohet një personazh dhe kur ai ka një fare suksesi, autori vazhdon ta ushqejë, mbijeton në kohë dhe bëhet pjesë e rritjes dhe historisë tënde. Gjenerata ime është rritur me “Çufo dhe Bubi kaçurrel” dhe ti prisje gjithmonë aventurat e reja.

Për romanin “Klara dhe Dielli”, Loreta Berhami rrëfen se:

Pasi autori mori çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017 dhe kishte vite që nuk botonte më dhe qe një surprizë shumë e bukur sepse për më tepër pasi merr një çmim kaq të rëndësishëm sa “Nobel” në letërsi, pritshmeritë janë gjithmonë shumë të larta, njerëzit e kanë shumë të thjeshtë të thonë në fillim gjënë e keqe sesa të mirën, kritika shijon më shumë kur je duke i rënë dikujt që është ngjitur lart dhe vërtet është libër fantastik. Libri mori çmimin e dytë më të rendësishëm në botën e letërsisë për të rritur.

“Klara dhe Dielli” rrëfen historinë e Klarës e cila është një android. Bukuria, aftësia e jashtëzakonshme e figurës është kjo që, rrëfen disa gjëra pa i përshkruar në detaje për t’i lënë vend imagjinatës. Klara është një android por nuk është e vetmja. Jetojmë në një botë ku androidët krijohen në formën e fëmijëve dhe krijohen që të bëhen miq të femijëve të vërtetë. Dielli personifikon deri diku naivitetin e fëmijës, e një bote vërtet të çiltër ku jemi ende të bindur që gjërat do të shkojnë mirë. Klara është naive, pozitive, optimiste dhe mendon se dielli do ti shërojë të gjitha dhe kërkon gjithandej diellin kudo që shkon. Është histori shumë e dhimbshme sepse Klara lidhet me një fëmijë, me një vajzë dhe kjo ka një sëmundje. Është vërtet një botë post-apokaliptike mund të themi. Ajo që më ka pëlqyer më shumë është fakti që ngrihen disa pyetje që janë thelbësore: “Çfarë na bën ne njerëz?”, “Pse Klara është më pak njeri sesa unë?”.

Në shqipëri na duket fantashkencë, shumë larg realitetit tonë por, përdorimi që bëjmë ne çdo ditë i rrjeteve sociale është i bazuar në inteligjencë artificiale. Inteligjenca artificiale nuk mund të imagjinohet vetëm si një send i cili i ngjan një njeriu që ka ca tela dhe ca qarqe brenda dhe imiton njeriun. Por nuk është vetëm kjo, janë të gjithë algoritmet që ekzistojnë mbas gjithë botës teknologjike që sot e prekim të gjithë. Ky stil i ri jete i pa frenueshëm ngre pyetjen mbi çfarë na bën ne njerëz.

Ndërsa për librin për adoleshentë, “Eliza dhe krijesat e saj”, autorja Francesca Zappia, një autore e re për Shqipërinë. U bë dy vite që e kam lexuar dhe ky ishte i vetmi që më tërhoqi vëmendjen sepse më pëlqeu shumë personazhi kryesor. Kjo vajza e re e cila ka një jetë të dyfishtë, që është shumë e njohur në rrjetet sociale, ka një blog të vetin ku ka krijuar një histori fanta-shkencore, e cila bazohet mbi oqeanin dhe mbi disa krijesa të jashtëzakonshme dhe vizaton personazhet e saj, është një roman grafik që ajo e boton vetë. Në shkollë është një peshkope që nuk ka shumë miq, e tërhequr, nuk është sociale, në dashuri s’ka pasur ndonjë sukses të madh. Fansi i saj online vjen në shkollën ku është ajo, e njeh dhe aty krijohet miqësia dhe do zhvillohet diçka më interesante. Ajo që më pëlqen mua është hulumtimi i pasigurive të moshës së adoleshencës.

Sot të duash të botosh një libër për adoleshëntët është një sfidë e jashtëzakonshme sepse kanë ndryshuar aq shumë këto 15 vitet e fundit. Ne që jemi në rolin e atyre që vendosim se çfarë do lexojë brezi i ri, duhet ta shohim botën nga perspektiva e tyre. Bota online është bërë shumë e vështirë për ta luftuar dhe duhet të përfshihet në çfarëdo lloj plani.

Një sugjerim për të gjithë dëgjuesit, përse duhet të trokasin tek shtëpia botuese “Pegi”?

Librat që botojmë ne janë bërë me shumë dashuri dhe kujdes. Kujdesemi siç do kujdeseshim për disa fëmijë të vegjël. Nëqoftëse doni një produkt të tillë tek ne do të keni garancinë e përkushtimit.

Më shumë