Eksluzivisht për TAR/Gentian Vocaj dhe Elektra tregojnë çdo detaj në lidhje me Maratonën e Tiranës!

Silvia Tabaku
06/12/2021

Sot të ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishin Gentian Vocaj, përgjegjës për çështjet e qarkullimit në Bashkinë Tiranë dhe Elektra, një gjimanziste por edhe vullnetare në Bashkinë e Tiranës. Ata kanë folur rreth aktivitetit të Maratonës së Tiranës e cila është në edicionin e saj të pestë dhe që do të zhvillohet me datë 17 tetor. Risia e këtij viti do të jetë se maratona do të ketë një trajektore prej 45 km dhe do të ketë një shtrirje në shumë rrugë dhe pika kyçe të qytetit të Tiranës.

Është diskutuar edhe në lidhje me planet që do të vendosen në zbatim me koordinimin e lëvizjes jo vëtëm të makinave por edhe të kalimtarëve dhe gjithçka tjetër që duhet të kemi parasysh për ditën e maratonës.

Në lidhje me rolin e vullnetarëve dhe se cilat janë detyrat e tyre, Elektra ka treguar se:

Puna e vullnetarëve te maratona do të jetë në përgjithësi për pjesën e mirëmbajtjes së garës, logjistikën, kujdesin e sportistëve dhe vëzhgimin që gjithçka të jetë në rregullin e vet. Jemi afërsisht 600 vullnetarë.

Në lidhje me moshën që variojnë vullnetarët, ajo tha:

Vullnetarët fillojnë nga gjimnazistët dhe studentët e universitetit dhe derisa të doni ju.

Drejtori i qarkullimit, Gentiani është pyetur në lidhje me pjesën se sa sfiduese ka qenë për t’i vendosur në vijë të gjitha dhe për të pasur një rregull…

Maratona e Tiranës është në sesionin e saj të pestë. Ndryshe nga vitet e tjera ka një veçanti sepse kësaj radhe maratona do ketë një trajektore prej 42 km e cila përveçse është një trajektore e gjatë, kalon edhe në disa rrugë kryesore të qytetit të Tiranës, të cilat nuk kanë kaluar herët e tjera që është rruga Myslym Shyri, rruga e Durrësit, bulevardi Bajram Curri, bulevardi Gjergj Fishta ku siç e dimë ato kanë një ngarkesë shumë të madhe si në trafikun e këmbësorëve ashtu edhe në atë të mjeteve. Nga ana e sigurisë dhe nga ana e qarkullimit të mjeteve dhe të këmbësorëve përbën një sfidë për ne dhe për strukturat e tjera që do merren me menaxhimin e trafikut.

Cili është plani që do të shërbejë për spostimin dhe zhbllokimin e trafikut që mund të krijohet?

Arsyeja që po dalin dhe po bëhen publike të gjithë planet është sepse do të bllokohet pjesa më e madhe e qytetit të Tiranës dhe do të ketë devijime në të gjitha rrugët kryesore por unë dua t’ju bëj një apel qytetarëve të cilët kanë mjete të parkuara në rrugët të cilat unë përmenda më lart dhe që në ditët në vijim do të plotësohet me një sinjalistikë provizore ‘Ndalim Qëndrimi’.

Në lidhje me masat që do të merren nëse qytetarët nuk do t’i lëvizin makinat, Drejtori i qarkullimit u përgjigj duke thënë se:

Deri një ditë para maratonës me datë 16 ne do të detyrohemi që t’i lëvizim me karrotrec qoftë për të liruar itinerarin e maratonës por edhe për arsye sigurie.

Ndërkohë që apeli për këmbësorët ishte:

Të na mirëkuptojnë dhe të kenë durim, atë ditë mundësisht t’i lënë mjetet të parkuara dhe të dalin në këmbë. Ta kemi një ditë pa makina, një ditë feste në Tiranë.

Vocaj është shprehur gjithashtu se:

Maratona është një atraksion turistik për qytetin e Tiranës. Do të ketë të ftuar nga të gjithë vendet që do të vijnë për të garuar, do të ketë vizitorë dhe turistë. Le ta kthejmë në ditë festë dhe jo ditë problemi. Do të ketë një fushatë të gjerë në të gjitha mediat, që njerëzit të njihen me çfarë do të ndodhi me datë 17. Është një ditë që do t’i përkushtohet sportit. Njerëzit duhet të na mirëkuptojnë.

Në lidhje me temat e ngrohjes globale dhe shumë të tjera dhe se sa e rëndësishme është, Elektra dha gjykimin e saj:

Mendoj se duhet të shtohen më shumë aktivitete të tilla. Po mundohemi si ne vullnetarët e Bashkisë, si unë Elektra në pjesën time shoqërore që të aktivizoj sa më shumë shoqërinë time duke i bërë thirrje të gjithëve që të marrin pjesë nëpër këto aktivitete. Ku ka dëshirë nuk mungon as puna.

Mund të ndodhë që për shkak se njerëzit kanë një dezinformim dhe nga përvoja e viteve të kaluara problematika kryesore nuk kanë qenë makinat por këmbësorët. Apeli i vetëm ka qenë që të arrijnë që atë ditë të shmangin lëvizjet në rrugët që janë pjesë të maratonës. Në lidhje me masat që do të merren atë ditë është bërë me dije se nuk do të aplikohen gjoba.

Nëse ke dëshirë që të bëhesh pjesë e Maratonës së Tiranës si vullnetar mund të paraqitesh në stendat që janë në Sheshin Skënderbej dhe në Parkun e Liqenit të Tiranës.

Më shumë