Fjorda Llukmani na sugjeron destinacionet më të bukura për t’u vizituar gjatë sezonit të dimrit!

Silvia Tabaku
07/12/2021

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” për të na folur për destinacionet më të bukura për të vizituar gjatë dimrit, ishte blogerja e njohur Fjorda Llukmani. Fjordës i pëlqen të udhëtojë shumë dhe të vizitojë destiacione interesante në çdo stinë. Fjorda është gjithashtu një nënë dhe ajo ka shprehuir se si është të jesh prind në kohën dhe moshën që ajo është aktualisht.

Prindërimi ishte një surprizë për mua, në fillim e kisha me shumë frikë, sidomos kur ndodh pa plan por mendoj që është vendimi më i mirë që kam marrë në jetë. Madje them ta bëj dhe 1 tjetër tani dhe të vazhdoj me punët e mia (qesh). Ke energji për të vrapuar pas fëmijës në këtë moshë. Është instikti që të mëson, unë as nuk dija të ndërroja pelenat. E kupton fëmijën sepse zërin e ka ndryshe kur është e uritur, ndryshe kur i flihet dhe çdo gjë do e mësojmë. Megjithatë unë nuk jap mend për prindërimin në rrjetet sociale.

Lidhur me disa prej destinacioneve që mund të vizitojmë gjatë dimrit, Fjorda na sugjeron:

Parku i Shebenikës është fantastik, tashmë kanë investuar dhe në disa shtëpi pritje që nuk kushtojnë shume, diku tek 25-30 euro. Ka shumë të veçanta sepse ka goxha kafshë dhe specie në zhdukje. Ka disa liqene akullnajore që në dimër thahen fare, gjithashtu ka edhe shpella si përshembull, Shpella e Akullit. Kjo është periudha perfekte për ta vizituar, bien gjethet pra koha e artë dhe është shumë bukur për t’i parë këto vende. Për më tepër nuk është shumë larg Tiranës.

Një tjetër destinacion interesant është Shën Gjergji. Fjorda shprehet se:

Shën Gjergji, është shumë afër Tiranës dhe mund ta vizitosh brenda ditës. Mund të vizitosh ujëvarën e Shën Gjergjit që është 2 minuta në këmbë larg nga fshati dhe gjithashtu mund të vizitoni Liqenin e Lepurit që e nis ngjitjen nga qendra e fshatit dhe është 1 orë ecje. Unë e kam bërë në një kohë që binte dëborë dhe pamja ishte shumë fantastike. Quhet Liqeni i Lepurit sepse thonë që liqeni ka formën e lepurit.

Një tjetër vend që më ka pëlqyer shumë është Razma. Resortet e zonës kanë shumë aktivitete si: hiking, biçikleta, motorrët e dëborës, pishina dimërore, sauna dhe për të shkuar atje duhet 3 orë. Është një zonë që bëhet ecje, është rruga e shtruar dhe nuk është problem për moshat e mëdha që nuk duan të bëjnë aktivitet fizik. Ka disa shtëpi me arkitekturë shumë të lezetshme që nga koha e Enver Hoxhës. Nga Razma shikon edhe Bogën. Është një nga zonat që ka më shumë shpella në Shqipëri.

E pyetur për një tjetër destinacion interesant që mund të vizitojmë, blogerja tha se:

Tjetër vend është Puka. Është investuar goxha në Pukë, është një vend i bukur ku bie borë. Ka disa bujtina interesante dhe më ka pëlqyer si opsion. Ka dhe vende të lezetshme si përshembull, Vau i Dejës që mund të ndalosh dhe t’i vizitosh gjatë rrugës.

Fjorda na tregon për disa vende që mund të vizitohen në dimër edhe pse janë verore…

Unë në Divjakë shkoja gjithmonë në dimër, edhe pse mund të vizitohen në verë sepse nuk ka shumë njerëz. Divjaka ka gjithë atë pyll dhe ka shumë aktivitete. Është një vend që është lirë, përshembull me 12 mijë lek ha sa të duash ushqim deti (qesh). Divjaka ka informacionet më të mira për turistët. Është shumë vend i bukur për një familje për të shkuar në fundjavë.

Të shkosh në jug gjatë dimrit, si e sheh ajo?

Dhërmiu për momentin është investuar edhe gjatë dimrit është i hapur. Moti është i egër shumë në jug gjatë dimrit, është shumë ftohtë dhe nuk ke çfarë bën. Kur është kohë me diell mund të shkosh në Llogara dhe të zbresesh të shikosh detin. Llogaranë do e sugjeroja si destinacion dimri, sepse nuk i ikën asnjëhere lezeti. Shtegu i Çezarit është në Llogara dhe mund ta vizitosh për 20 minuta dhe shikon komplet gjirin e Vlorës. Aty mendohet që Jul Çezari bashkë me ushtrinë e tij, pasi erdhën nga Palasa kanë ngritur çadrat.

Më shumë