Makbeth takohet me 3 parashikues fati dhe zbulon të ardhmen e tij. Nga kjo një ambicie e pakufijshme i lind për pushtet absolut. I nxitur edhe nga gruaja e vret shefin e tij ndërsa fle duke e marrë pushtetin për vete. Ajo që u mendua se do të ishte një hap i shpejtë dhe i lehtë drejt suksesit del jashtë kontrollit. Vrasjet ndjekin njëra – tjetrën, dhe spiralja e ngjarjeve bëhet më e errët. Të dy; Makbeth dhe gruaja e tij luftojnë me fajin për atë që kanë bërë dhe shkojnë në masa ekstreme për të ruajtur kontrollin e tyre mbi pushtetin. Vendi shumë shpejt përfshihet në kaos dhe Makbeth përmbyset nga froni.
Një nga shfaqjet që mori një vëmendje shumë të madhe ishte ajo e “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca, e cila u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet.
Për shkak edhe të kufizimeve nga COVID-19, të gjitha shfaqjet që u zhvlluan në datat nga 10 deri në 18 dhjetor ishin në praninë e një publiku të vogël në numër. Kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Në rolet kryesore ishin aktorët e njohur Alfred Trebicka në rolin e Makbeth, Loredana Gjeçi si Ledi Makbeth dhe 4 aktorë ndihmës Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.
Për këtë shfaqje edhe vetë Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur:
Një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit. “Makbeth”, një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Enton Kacës dhe interpretim në rolet kryesore nga Alfred Trebicka dhe Loredana Gjeci na rikthyen edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të lakmisë për pushtet. Një shfaqje që nuk mund ta humbisni!