“Kur ikën macja”, komedia britanike që vë dy baxhanakë në situata sa provokuese, të sikletshme po aq edhe gazmore! Ervin Bejleri zbulon më shumë…

Anja Dervishi
18/03/2022

Komedia “Kur ikën macja” shënon edhe premierën në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Teatrit Shëtitës “Çajupi”. Nën regjinë e Kiço Londos, për publikun durrsak vjen të shtunën dhe të dielën në mbërmje një komedi shumë e suksesshme e autorëve britanikë Johnnie Mortimer dhe Brian Cooke.

Subjekti i kësaj vepre flet për dy motra të cilat vendosin të shkojnë me pushime në Paris, ndërkohë që dy baxhanakët ftojnë në shtëpi dy kotele simpatike seksi. Pikërisht atëherë gjërat fillojnë të ndërlikohen dhe të ketë shumë zhvillime interesante që do të mbërthejnë publikun duke dhuruar të qeshura pafund.

Suksesi është i pritshëm duke ditur që kemi shumë aktorë të njohur si Vin Bejleri, Andia Xhunga, Romir Zalla, Albana Koçaj por edhe emra të rinj si Ina Kollçaku dhe Rexhina Ibro. Dy prej tyre ne i kishim në studion e “Wake Up” sot, Ervin Bejlerin që do të interpretojë Xhorxhin nursëz, një bashkëshort nën diktatin e gruas…

Do ta “shëtisni” këtë shfaqje edhe në qyetete të tjera, si është plani për në vazhdim, duke qënë se me ikjen e pandemisë edhe publiku ka më shumë nevojë të ushqehet me projekte të bukura artistike?

Nesër është premiera e shfaqjes në orën 19:00. Përderisa ne jemi pjesë e Teatrit Shëtitës, ne do të shëtisim në të gjitha vendet. Edhe në ato më pak të vizituara, edhe aty do të shkojmë. Është detyra e çdo artisti që artin e tij mos ta mbajë të izoluar. Misioni i artit ky është, të futet në zona më të thella.

Cila është përmbatja e kësaj shfaqje, çfarë mund të na thuash?

Ideja është që macet janë dy gratë tona, të cilat vendosin të ikin në Francë. Është gruaja ime që do të shkojë në Francë me mua, por roli im është shumë introvert. Atëherë ajo vendos të marrë motrën e saj, e cila thotë që është ndarë nga burri. Kështu të dyja vendosin të ikin bashkë, nga inati jonë. Natyra ime është shumë introverte, kurse Romiri është shumë i lëvizshëm, ai ka dhe të dashur. Ai fton të dashurën e tij, ajo fton dhe shoqjen e saj. Pastaj fundi i shfaqjes kur gratë tona kthehen brenda ditës dhe ne jemi me këto vajza të reja në shtëpi, të fshehura në banjo. Ne në shfaqje kemi dy banjo dhe ato janë të dyja aty. E gjithë loja është si t’i fshehim ato.

A është një shfaqje aktuale që lidhet dhe me problematikat e shoqërisë sonë?

Kjo është problematikë në shoqërinë tonë. Të gjithë çiftet duhet ta shohin, pse jo të marrin jo vetëm gratë, port ë gjithë ata që njohin (qesh). Nuk është një shfaqje që bën diferencim, kush e shijon më shumë femrat apo meshkujt.

Mund të na zbulosh ndonjë surprizë lidhur me shfaqjen?

Surpriza e kësaj shfaqje, është se gruaja ime merr hak ndaj meje. Personazhi im nuk është dhe aq i mirë, është pak zevzek, pak nursëz. Është diçka që mirë t’i bëhet sepse burrat nuk duhet të sillen ashtu me gratë e tyre.

Më shumë