Dalja e fundit publike e Khloe Kardashian mundësohet nga Valdrin Sahiti!

Marisa Karabeci
08/04/2022

Së fundmi, ylli televiziv Khloe Kardashian në daljen e saj të fundit publike ka zgjedhur një fustan të punuar nga stilisti i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti. Lajmin e bukur e ka ndarë vetë Valdrini me anë të një postimi në rrjetin e tij social Instagram. Përkrah një video ku shihet Khloe, Valdrini ka shprehur falënderimit ndaj yllit Kardashian për përzgjedhjen e markës së tij.

Rikujtojmë që kjo nuk është hera e parë që yje botërorë zgjedhin stilistin shqiptar. Më herët veshjet e Valdrin kanë qenë zgjedhja e divës së muzikës pop Beyonce apo miliarderes Kylie Jenner. Ndërkaq, aktorja e njohur e komedisë Tiffany Haddish u prezantua me një fustan elegant në tapetin e kuq të “Oscars”, ashtu edhe në ‘after party’-n e organizuar nga “Vanity Fair”. Haddish ishte veshur nga stilisti Valdrin Sahiti.

Risjellim në vëmendje edhe veshjen e aktores amerikane Angelica Ross në ceremoninë e çmimeve BAFTA e cila kishte përzgjedhur një fustan të punuar me kujdes nga Sahiti dhe dukej padyshim magjike, sepse Valdrini asnjëherë nuk zhgënjen. Në hap me trendet botërore, fustani kishte një prerje në formën e trekëndëshit në mes të gjoksit, duke i shtuar më tej elegancën me një të çarë të madhe në këmbën e majtë.

Valdrini është shumë i përkushtuar në çdo detaj të secilës prej veshjeve që krijon, duke qenë koherent me tendencat botërore e shpeshherë duke e sjellë ai vetë atë që do të shndërrohet në trend. Jo vetëm një stilist kaq i suksesshëm por Valdrin Sahiti është edhe një bashkëshort e baba shumë i përkushtuar dhe këtë gjë e tregon sa herë që i jepet mundësia. I ftuar në një lidhje me Skype në “Wake Up” ndër të tjera Valdrini ka folur dhe për jetën e tij familjare.

Më shumë