Përveç “Micro Folie” ka edhe shumë projekte të bukura që Agjencia e Industrisë Kreative ka rezervuar për të gjithë të rinjtë!

Silvia Tabaku
08/04/2022

Nina Plaku, përgjegjësja e sektorit në Agjencinë e Industrisë Kreative ka qenë e ftuar sot në “Live From Tirana”. Ajo ka folur dhe ka dhënë më shumë detaje në lidhje me inagurimin e sotëm të Agjencisë dhe sigurisht ka dhënë më shumë detaje edhe për “Micro Folie Tirana” dhe ka zbuluar disa projektet më të reja që do të vihen në zbatim për të gjithë të rinjtë në kryeqytet në shumë fusha të ndryshme si kinematografia, teatri dhe teknologjia.

“Micro Folie Tirana” në vetvete çfarë është?

“Micro Folie Tirana” është një muze digjital, një hapësirë multi-dimensionale e cila synon të nxisë krijimtarinë tek fëmijët. Ndodhet mbrapa Kryeministrisë tek lulishtja dhe është e konceptuar në formën e një tende e cila synon të tërheqë të rinjtë me forma alternative të krijimit dhe fokusi kryesor i “Micro Folie Tirana” është që të nxisë krijimtarinë tek fëmijët. Kemi aktivitete çdo fundjavë përveç se nga e marta në të premte është e hapur për të gjithë vizitorët ku kryesisht janë shkollat. Tani kemi filluar edhe me kopshtet të cilat po marrin pjesë dhe janë vizitorët më të rinj. Ndërsa në fundjavë kemi aktivitet që i janë dedikuar nxitjes së krijimtarisë ditën e shtunë dhe të teknologjisë ditën e dielë. Pra fëmijët dhe të rinjtë që duan të mësojnë rreth robotikës apo teknologjisë ne ofrojmë kurse falas çdo të dielë me profesionistë të fushës. Misioni i “Micro Folie” është mësimi dhe edukimi përmes artit dhe teknologjisë.

Përgjegjësja ka treguar gjithashtu edhe një nga risitë më të reja:

Ne do të vijmë me një projekt shumë të bukur, i cili quhet “YouTube Space” dhe do të jetë një hapësirë e krijuar për të rinjtë e talentuar dhe që kanë dëshirë që të merren me prodhime audio-vizive. Ne do të ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kjo gjë të jetë sa më funksionale.

Po me të rinjtë të cilët kanë pasion të madh kinematografinë, çfarë ndodh?

Agjencia do të marrë përsipër rivitalizimin e të gjithë kinemave të qytetit, pra kinemave shtetërore. Duam të sjellim edhe aktivitete për të rinjtë e lagjeve periferike të Tiranës. Duam të sjellim edhe një rikonceptim edhe të kinema Agimit. Do të kemi qendra të reja multi-mediale, duam që të shfaqim edhe produksione të huaja përveç atyre shqiptare. Përsa i përket teatrit ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Qendrën e Teatrit dhe me Teatrin Metropol por që nuk do të zbuloj më zhumë.

Por në mbyllje të intervistës Nina na zbuloi edhe një detaj të ri shumë interesant:

Dua të zbuloj diçka sa i përket Zyrës së Filmit, është pjesë integrale e Agjencisë së Industrisë Kreative dhe funksioni i zyrës do të jetë që do të tërheqë të gjitha produksionet e huaja që xhirojnë në Shqipëri, sepse kemi shumë vende të bukura që duhet të shfaqen.

Më shumë