Shqipëria e parë nga sytë e turistëve izraelitë, për këtë na tregon më shumë në TAR Ana Çili!

Marisa Karabeci
03/05/2022

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio Ana Çili, guidë e liçensuar nga Ministria e Turizmit të Shqipërisë ku shoqëron grupet e turistëve izraelitë. Ndërkaq, Ana na tregon pak më shumë rreth jetës së saj:

Familja e babait tim ka ardhur nga Greqia, është familja më e vjetër hebre që është stabilizuar në Shqipëri. Unë kam lindur në Shqipëri, babai dhe gjyshi gjithashtu dhe kam jetuar në Shqipëri 38 vjet. Në moshën 38-vjeçe jam larguar për në Izrael. Ishte nje befasi për ne, nuk e mendonim por këtë e bëri shteti izraelit që na tërhoqi të gjithë hebrenjve që rrinim në Shqipëri. Kam 31 vjet që jetoj në Izrael, kam punuar aty, kemi shkolluar fëmijët tanë, kam një vajzë dhe një djalë.

Si është të ikësh dhe të vish nga Izraeli me turistë me vete?

Kjo eksperiencë ka nisur rastësisht para 10 vitesh. Nuk e kam menduar që do të bëja këtë punë. Disa shoqet e mia që dëgjuan se do të vija në Shqipëri më thanë se kishin dëgjuar se Shqipëria është një vend i bukur dhe donin të vinin ta vizitonin. Mua më erdhi shumë mirë dhe i thash mund të vini. Erdhën dhe u kthyen me përshtypjet më të mira, ishin impresionuar nga vendi i bukur. Madje kanë thënë se ka qenë turi më i bukur që kanë bërë. Kështu pastaj kam nisur edhe me grupet e tjera. Edhe për mua ishte hera e parë që shihja Shqipërinë, u habita dhe u mahnita me mrekullitë e këtij vendi. Që atëherë m’u fut një dashuri e madhe për këtë vend. Unë një pjesë të madhe të kohës e kaloj këtu, një pjesë në Izrael. Andej bëj provomovimin e turizmit me anë të grupeve që sjell këtu. Promovojmë natyrën, ushqimin që është fantastik. Ne shkojmë në restorantet e thjeshta dhe tradicionale. Kur mbaron turi turistët shprehen se: “Nuk na e merrte mendja që Shqipëria do të ishte kaq e bukur”. Kjo është propaganda që ata bëjnë më pas në Izrael. Shqipëria është i vetmi vend që para Luftës së Dytë Botërore ishin 200 hebrenj dhe pasi mbaroi lufta ishin 2000 hebrenj. Kjo ishte diçka e rrallë në botë dhe për këtë janë bërë edhe filma.

Nga çfarë janë impresionuar më shumë turistët izraelitë?

Janë shumë gjëra që turistët pëlqejnë në veçanti natyra e cila është fantastike. Unë kam shëtitur nëpër botë por natyra shqiptare është një ndër më të bukurat në botë. Ju ka pëlqyer mikpritja shqiptare, sepse i promovoj edhe në familje shqiptare dhe padiskutim pastaj edhe ushqimi që është fantastik. Kur dëgjojnë historinë e Shqipërisë mahniten sepse për izraelitët, Shqipëria nuk ka qenë një vend i njohur.

Më shumë