“Nëse doni të punoni me mua, duhet të punoni me gjithë tërësinë time”/Një rrëfim i veçantë nga modelja Quannah Chasinghorse!

Marisa Karabeci
04/05/2022

Quannah Chasinghorse është një aktiviste indigjene dhe mbrojtëse e pasurive tokësore dhe mbi të gjitha një modele unike. Ndërkaq, njihuni me rrëfimin e veçantë të saj…

Pavarësisht se kam qenë në modë që kur isha e re, asnjëherë nuk kam menduar se mund të bëhesha modele. Unë jam një anëtare krenare e fiseve Hän Gwich’in dhe Sičangu/Oglala Lakota në SHBA, por si shumica e adoleshentëve indigjenë, unë u rrita pa asnjë përfaqësim në kulturën pop. Nuk ndihesha e sigurt dhe as nuk më pëlqente mënyra si dukesha. Kur isha 14 vjeçe, bëra tatuazhin tim të parë në fytyrë, një tatuazh tradicional, në një ceremoni që praktikohej për të nënkuptuar moshën madhore. Ishte vërtet një moment i veçantë. Mund ta kisha bërë më shpejt, por prita derisa të mund të artikuloja më mirë kuptmin dhe shenjtërinë e saj, pse është kaq e rëndësishme për ne të rifitojmë këtë traditë pasi ajo, si shumë praktika të tjera kulturore, pothuajse është fshirë.

Gjithmonë kam dashur të përfaqësoj njerëzit e mi në mënyrën më të mirë dhe tani kam fatin ta bëj këtë, duke qenë në kopertinat e revistave dhe duke ecur në pista. Të jesh dikush që mund të ndryshojë mënyrën se si të tjerët e shohin bukurinë është e rëndësishme. Është vërtet bukur të jesh pjesë e një ndryshimi më të madh në industrinë e modës, ku njerëz nga të gjitha sferat e jetës po përfaqësohen gjithnjë e më shumë. Por rregulli im është: “Nëse doni të punoni me mua, duhet të punoni me gjithë tërësinë time.” Nuk do t’i pres apo ndryshoj ngjyrën e flokëve dhe nuk do t’i mbuloj tatuazhet e mia të fytyrës, sepse ato janë pjesë e identitetit tim si një person indigjen.

Shtatorin e kaluar, mora pjesë në Met Gala-n time të parë, një nga netët më të mëdha të modës. Doja të debutoja në mënyrën e duhur, veçanërisht duke ditur që tema ishte një festë e modës amerikane. Vendosa të jem vetvetja dhe të nderoj indigjenitetin tim, gjë që e bëra duke kombinuar një fustan lame floriri të dizajnuar nga Peter Dundas me aksesorët vendas. Mamaja ime duhej të më rriste mua dhe vëllezërit e mi si prind i vetëm dhe hallat e mia ishin një pjesë e madhe e edukimit tim. Shpesh flas për mamin dhe tezen dhe se sa shumë janë ato për mua. Këta matriarkë të fortë më kanë treguar se si duket fuqia e vërtetë dhe si ta shfrytëzoj atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam veshur disa nga pjesët e tezes sime gjatë xhirimeve të mia me ‘Vogue Mexico’, si dhe ato të bëra nga artistë vendas të Alaskës. Njerëzit e mi janë ndjerë gjithmonë të padukshëm dhe kështu të kesh këtë lloj dukshmërie është kaq domethënëse. Pavarësisht gjithçkaje që komunitetet vendase kanë duruar dhe humbur, ne jemi ende këtu dhe jemi krenarë për atë që jemi.

Më shumë