Për ju që keni turp të vishni të njëjtën veshje 2 herë, Emma Stone ka shkuar në “Met Gala” me fustanin e dasmës!
Tema zyrtare e ‘Met Gala 2022’ ishte “Glamour i praruar”, por gjithashtu mund të ketë qenë edhe reduktimi, ripërdorimi, riciklimi. Tema e këtij viti ishte kërkesa për ekstravagancë, por VIP-at zgjodhën opsione më miqësore me planetin, duke ricikluar veshjet e dikurshme. Të shumtë ishin yjet që mbanin fustane të ripërdorur ose krijime të reja të bëra nga materiale të ricikluara.
Megjithatë, Emma Stone ia doli të na çudiste më shumë nga të gjithë, kjo pasi aktorja ri-veshi fustanin e saj të dasmës. Fustani Louis Vuitton që Stone veshi për ‘Met Gala’ më 2 maj, është fustani që ajo veshi në festën e dasmës së saj, pas ceremonisë zyrtare. Fustani i shkurtër, i cili ka pupla dhe rripa dantelle, ishte dizenjuar posaçërisht për festën pas dasmës së aktores.
Rikujtojmë që Stone u martua me shkrimtarin dhe regjisorin Dave McCary në vitin 2020 dhe deri më tani, pamja e saj e dasmës është mbajtur e fshehtë. Rikthehemi përsëri tek “Met Gala”. Ylli televiziv Kim Kardashian shkëlqeu teksa ishte e shoqëruar nga i dashuri i saj i shumëdiskutuar, Pete Davidson, por mbi të gjitha tërhoqi vëmendjen fustani i saj, me vlerë 5 milionë dollarë, i cili është veshur nga Marilyn Monroe në vitin 1962. Disa ekspertë të Monroe nuk ishin aspak të lumtur me zgjedhjen e Kim.
Risjellim në vëmendje look-un e aktores Blake Lively e cila i mahniti të gjithë “Met Gala” me look-un e saj. Bukuroshja mbërriti në tapetin e kuq e veshur me një fustan nga Atelier Versace, që më vonë u transformua ndërsa ajo ngjitej në shkallët e Met. Fustani i aktores ishte zbukuruar me një fjongo gjigante, para se asistentët të ndërhynin për ta ‘zbërthyer’, duke e transformuar fustanin nga rose-gold në aqua-blue para syve të publikut.