Zana Çela rikandidon përsëri për të marrë drejtimin e TKOBAP/ Çfarë parashikon në platformën e saj?

Silvia Tabaku
11/05/2022

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe të Ansamblit Popullor ka qenë sot e ftuar në emisionin “Wake Up” ku është ndalur për të diskutuar jo vetëm tek projektet më të reja por edhe tek rikandidimi i saj pas dorëzimit të platfromës me datë 19 prill. Theksojmë se Çela prej 6 vitesh është në krye të kësaj detyre. Çfarë të shtyu për të rikandiduar?

Në fakt pas një pesë vjeçari e gjysmë, sepse kaq është periudha që unë jam në drejtim të Teatrit të Operas dhe Baletit, e kam menduar gjatë nëse duheshe vërtetë që unë ta vazhdoja drejtimin e TKOB. Dilema ishte e fortë deri në momentin e fundit pas gjithë nxitjes së artistëve dhe të miqve. Ishte kjo lidhje e thellë shpirtërore që më bënte të thoja dhe të mendoja nëse kam unë diçka për të dhënë në mënyrë që teatri të kalojë në një standard tjetër ashtu siç është infrastruktura e tij tashmë e financuar nga shteti. A kam unë më ide që do ta avancojnë TKOB drejt një formatimi dhe menaxhimi europian? Gjithçka që unë kam shkruar do të realizohet. Do të gjejmë besimin e plotë për të arritur më shumë.

Çfarë nënkupton me: “Do të punoj për Teatrin e së nesërmes”, cilat janë objektivat që ende nuk i ke përmbushur?

Tani TKOB ka ardhur në një moment tjetër sa i përket vazhdimësisë së menaxhimit të tij dhe të performancës. Është një moment që kërkon një reformim të thellë të strukturës. Ky reformim fillon me objektivën e parë që është një mënyrë e re e menaxhimit dhe të shkëputur pak nga pak nga varësia e buxhetit të shtetit, përmes ngritjes së fondeve. Brenda këtyre pesë viteve kemi dëshmuar se kjo mund të bëhet. Në platformën time unë kam paraqitur edhe një mënyrë tjetër të reformatimit të biletave përems paketave dhe biletave me prenotim.

A mendon se e penalizon kandidaturën tënde kriteri i shtuar nga Ministria e Kulturës, ku thuhet se kandidatët duhet të kenë master shkencorë për ekonomi?

Në fakt ky kriter është i shpallur por në daljen e saj Ministrja e Kulturës e nënvizoi se ky kriter nuk është përjashtues. Unë nuk kam një master por ama kam një eksperiencë shumë të madhe dhe kam një ekspertizë që e kam fituar tashmë gjatë karrierës sime plot 37 vite.

Në garë për drejtimin e TKOB janë dhe disa emra të tjerë si: Josif Gjipali, Gëzim Xhaxhaj, Arben Skënderi, Kleanthi Gjika dhe sëfundmi dhe ish-drejtoresha artistike e TKOB, Abigeila Voshtina. Kë prej këtyre emrave sheh si konkurent më të fortë dhe a prisje të ishe përballë tyre?

Deri tani mendoj se ish-drejtoresha artistike Abigeila Voshtina mund të jetë një nga konkurrentet e fortë pasi ajo ka një eksperiencë të paktën në fushën e drejtimit artistik.

Më shumë