Revolucionare edhe në tapetin e kuq, Marion Cotillard sfidon kodin e veshjes në Kanë!

Marisa Karabeci
23/05/2022

Vijon edicioni i 75-të i Festivalit të Filmit në Kanë, një nga ngjarjet më të pritura të vitit në botën e kinemasë. Mbrëmjen e 20 majit, u mbajt premiera e filmit Frère et Sœur dhe protagonistja e tij, aktorja e njohur franceze Marion Cotillard nuk mund të mungonte në tapetin e kuq.

Gjithmonë një ikonë e bukurisë dhe stilit, këtë herë ajo arriti të binte në sy falë shpirtit të saj revolucionar. Për paraqitjen në tapetin e kuq të Croisette ajo përmbysi të gjitha llojet e rregullave të kodit të veshjes duke parakaluar me pantallona të shkurtra.

Pse Marion Cotillard në Kanë është jokonvencionale? Marion Cotillard ka arritur të thyejë çdo rregull përsa i përket kodit të veshjes, duke mos pasur frikë të guxojë apo të tregojë shpirtin e saj antikonvencional. Ajo nxori në pah këmbët e saj por kjo nuk do të thoshte se ishte “skandaloze”, përkundrazi tregoi se mund të jesh elegante dhe joshëse edhe pa fustane luksoze apo me funde deri tek kyçi i këmbës. Me veshjen e saj të shkurtër ajo është kthyer në një ikonë revolucionare të modës dhe me siguri që nga ky moment do të ketë shumë të famshme që do të ndjekin shembullin e saj.

Sjellim në vëmendje, se Festivali i Filmit në Kanë do të vijojë deri të shtunën, më 28 maj 2022. Yjet po ‘vërshojnë’ sërish në Francë dhe do të shohim shumë prej tyre të kalojnë në tapetin e kuq. Festivali u anullua në 2020-tën për shkak të masave të rrepta kundër pandemisë së COVID-19, por tapeti i kuq shkëlqeu sërish këtë vit.

Rikujtojmë, se në nder të 75 vjetorit të Festivalit të Kanës organizatorët e eventit më të madh të filmit në botë kanë zgjedhur Chopard për të realizuar trofeun e jubileut të Festivalit. Chopard ka 25 vjet që ‘ushqen’ një marrëdhënie pasionante me këtë event ndaj edhe Palma e këtij edicioni realizuar nga brandi prestigjoz i bizhuterive do të jetë e jashtëzakonshme.

Më shumë