Propozimet e fundit të markave të famshme të modës, Ardi Asllani në TAR: Nëse ‘krijon’ zhurmën sot je trend!

Marisa Karabeci
26/05/2022

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio stilisti i njohur Ardi Asllani për të na folur pak më shumë rreth trend-eve të veshjeve të këtij sezoni. Konkretisht, çfarë na pret?

Tani e dimë çfarë na pret. Dizajnerë edhe stilistë kanë propozuar shumë forma të reja të kombinimeve sepse kanë dashur të krijojnë zhurmën sepse kush bën më shumë zhurmë mbetet më i kërkuari. Zhurma krijohet nëpërmjet Instagramit apo rrjeteve të tjera sociale. Nëse e krijon bëhesh trend dhe detyrimisht e ke krijuar edhe zhurmën e marketingut.

Sa i përket propozimeve të fundit të markave të famshme të modës, cili është opinioni i Ardit?

Nuk është vetëm Balenciaga në bashkëpunim me Adidas të cilët kur i pashë në sfilatën e tyre në New York, jam tronditur. Kishin zgjedhur modelë që fizikisht ngjasonin me UFO-t. Një prej tyre ishte aq i çuditshëm dhe nuk po e kuptoja nëse ishte i gjinisë femërore apo mashkullore. Balenciaga dhe Adidas ja arritën qëllimit. Gucci nga ana tjetër ka krijuar çadrën që nuk të mbron as nga dielli dhe as nga shiu dhe që ka një kosto të llahtarshme. Vlen të përmendim edhe këpucët endacake të Balenciaga-s me çmime stratosferike për llojin e produktin që janë. E bukura është që i nxjerrin në sasi të limitura që manjatët pas modës t’i blejnë menjëherë dhe të bëhet artikull i munguar.

Channel njoftoi së fundmi se një klient i tyre mund të blejë vetëm dy çanta nga të gjitha koleksionet. Në këtë mënyrë i ngre kultin produktit i cili kthehet në një produkt të shenjtë. Çantat e tyre së shpejti do të fillojnë të dalin në ankand. Balenciaga do të jetë brand-i i parë që do të shesë produkte me Bitcoin. Tani më shumë se sa drejt stilit po shkohet drejt zhurmës. Dolce Gabbana mori përsipër realizimin e dasmës së Kourtney Kardashian dhe e bëri këtë sepse vitet e fundit pati një rënie të shitjeve. Ideja ishte të rregullonte imazhin. 

A do t’i rezitojnë kohës këto trende të ‘çuditshme’?

Moda në shumicën e jetëgjatësisë së saj ka pasur riciklim, janë rikthyer trendet, tani janë rikthyer trend-et e viteve 2000. Për vajzat dua të them se do të kthehen në modë xhinset me belin e shkurtër, kauboji gjithashtu është rikthyer edhe është shumë në modë. Sot ka shumë njerëz që po tentojnë të krijojnë tendenca të reja. Stilet sot më shumë po i krijojnë njerëzit se sa stilistët, duke i bërë një miksim të jashtëzakonshëm veshjeve të tyre ku firmat e mëdha më pas i ndjekin nga pas.

Më shumë