Nga koncerti “Alpha Show” dhe deri tek jeta e tij personale Noizy rrëfen gjithçka ekskluzivisht në TAR!

Silvia Tabaku
22/07/2022

Noizy së bashku me ekipin e tij është duke u përgatitur për diçka shumë të madhe, e cila synon që të kthehet në traditë dhe të zhvillohet çdo vit. “Alpha Show” është një projekt gjigand duke u përgatitur në Sheshin Nënë Tereza. Një nga koncertet më të mëdha të realizuara ndonjëherë në vendin tonë për muzikën hip-hop dhe rap. Me artistët më në zë të momentit dhe më të mirë të kësaj rryme në trojet shqiptare dhe jo vetëm. I ideuar dhe i iniciuar nga Noizy.

Pse 14 gushti dhe si e ke konceptuar këtë koncert që pritet të konkretizohet më pas?

“Alpha Show” është emri i albumit që publikohet disa ditë para koncertit. Pse 14 gushti? Ne kemi më shumë shqiptarë që janë refugjatë në Itali dhe në Greqi, janë diku tek 1 milion shqiptarë që kanë emigruar në Itali. Ata kthehen nga mesi i gushtit. Unë kam edhe shumë bashkëpunime me reperët italianë. Mbase vititn tjetër mund ta afrojmë pak datën. Kam në plan që ta bëj si një koncert që bëhet çdo vit sepse mungon. Ti japim mundësinë që të gjithë shqiptarët të kenë një koncert të tillë.

Është menduar që pjesë e këtij koncerti të jenë emra të njohur si Loredana, Ylli Limani, Dhurata Dora, Kida, Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, Mc Kresha dhe shumë e shumë të tjerë. Me kë prej tyre ka qenë më e vështirë të konkludosh?

Sinqerisht jam i befasuar nga të gjithë artistët, këto që i përmendëm i kam miq shumë të mirë. Më është dashur thjesht një mesazh dhe të gjithë kanë thënë ‘po’ dhe mezi po presin që të vijnë në “Alpha Show”. Do mundohem të jap 101%.

Sa do të zgjasë koncerti?

Hapen dyert në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri pas orës 01:00 në mesnatë. Shqipëria do të shikojë sigurinë më të lartë që ka parë ndonjëherë edhe pse nuk besoj se do të jetë e nevojshme. Kemi bashkëpunuar me njerëzit më të mirë që ne kemi.

Në gjithë këto vite je i komentuar shumë. Në 16 vite e sheh këtë koncert si pikun e karrierës tënde?

Është një ëndërr e çdo artisti si i vogël ashtu edhe i madh. Një nga gjërat më të mëdha që ne kemi parë deri tani 100% po. Është një nga gjërat më të mira dhe më të mëdha që kam bërë ndonjëherë.

Shifra që është shpenzuar deri tani?

Nuk kam qejf të flas me shifra por mbi gjysëm milion euro.

Përpos karrierës muzikore, mamaja prej kohësh kërkon që të bëhet vjehrrë?

Ideja është që personi që duhet të kem në krah dua që t’i kushoj kohë, vëmendje mbi të gjitha dashuri dhe për momentin nuk e kam atë lluks. Kohën e kam gjënë më të çmuar gjë që nuk e kam. Jam mjaft i angazhuar dhe është pak e hallakatur situata.

Më shumë