Çdo gjë që duhet të bëni për të pasur buzët që gjithmonë keni ëndërruar, larg ndërhyrjeve kirurgjikale!

Marisa Karabeci
10/09/2022

Ekush nuk dëshiron buzë të përsosura?! Para disa kohëve kërkuesit e një universiteti të rëndësishëm kalifornian kanë botuar në revistën “JAMA Facial Plastic Surgery” një studim ku ndryshuan dimensionin dhe proporcionin e buzëve të 100 fotografive me gra dhe kërkuan mendimin e njerëzve të tjerë mbi ndryshimet që kishin bërë. Ata arritën në këtë përfundim: Buza e madhe, mishtore dhe voluminoze impresiononte më shumë. Buza e poshtme duhet të jetë 2 herë më e madhe se e sipërmja dhe kjo është me të vërtetë ajo që bën diferencën.

Përsosmëria nuk është vetëm një e dhënë shkencore. Sensualiteti i vërtetë? Natyralja! Studiuesit këmbëngulin se buzët e fryra si ‘komardare’ humbasin proporcionin dhe nuk janë në harmoni me fytyrën. Rregullimi i buzëve duhet të jetë gjithmonë sa më natyral dhe i mirëproporcionuar. Nuk është e nevojshme të ndiqni modën dhe as të ndryshoni tiparet e fytyrës me çdo kusht. Ndonjëherë edhe një përmirësim i vogël, mund të bëjë një ndryshim thelbësor për të dhuruar një efekt të kënaqshëm dhe sensual.

Nëse jeni lodhur duke pasur lëkurën e buzës të thatë dhe të çarë, që e prish bukurinë e buzëve tuaja, mos i kafshoni ato. Sekreti për të shpëtuar nga buzët e thata është t’i hidratoni ato. Zgjidhni produktet natyrale si mjalti. Dihet se mjalti është shumë i vlerësuar për cilësitë e tij hidratuese, zbutëse dhe ushqyese.

Sidomos gjatë dimrit është e lehtë të keni buzë të çara. Për të zgjidhur këtë shqetësim, është e nevojshme të lyeni buzët me mjaltë. Kjo substancë e ëmbël konsiderohet si një anti-inflamator natyral i mirëfilltë. Përveçse i bën buzët më të buta dhe me shkëlqim, do të jetë një ndihmë e shkëlqyer për të larguar edhe lëkurën e thatë.

Një tjetër trajtim i çmuar për buzët është scrub-i. Asnjë ‘betejë’ kundër buzëve të thata nuk do të jetë më i ëmbël sesa scrub-i me sheqer. Do t’ju nevojitet 1 lugë çaji sheqer dhe 1 lugë çaji vaj ulliri. Përziejini këta dy përbërës dhe fërkoni lehtësisht buzët. Kur të shihni rezultatin do të mbeteni pa fjalë. Ndërkaq, keni dëgjuar ndonjëherë për gjimnastikën e fytyrës? Ju mjaftojnë vetëm 10 minuta në ditë.

Nuk ka rëndësi kur dhe ku. Uluni, qetësohuni dhe përgatituni të bëni disa ushtrime të thjeshta. Ushtrimet ndihmojnë për të stimuluar prodhimin e kolagjenit dhe për të tonifikuar indet. Jo vetëm do t’ju ndihmojnë të keni buzë të përsosura, por edhe të parandaloni shfaqjen e rrudhave. Pini një gotë ujë, hidratoni buzët me një balsam të mirë dhe filloni të ushtroni gjimnastikën e fytyrës.

Më shumë